Lara Colturi rikthehet në podium, renditet e treta në garën e sllallomit zhvilluar në Austri
28 Dhjetor 2025
18:45
Telesport
Skiatorja shqiptare Lara Colturi është renditur në vendin e tretë në garën e sllallomit, zhvilluar të dielën në pistën e Semmering në Austri. Një rikthim në podium në garat e Kupës së Botës për skiatoren 19-vjecare shqiptare, që e mbyll vitin 2025 në mënyrën më të mirë të mundshme.
Një tjetër paraqitje shumë e mirë për skiatoren shqiptare, që siguroi podiumin e katërt sezonal (të gjitha në këtë disiplinë), të gjashtin në karrierën e saj. Ajo rivalizoi me më të mirat, por pa mundur dot të fitojë, por tregoi se është ende pretendente për suksesin e parë.
Pas zbritjes së parë, Colturi u rendit e dyta me kohën 54“79, ndërsa në zbritjen e dytë dha kohën 54”60. Kështu, pas dy zbritjeve, skiatorja kuqezi u klasifikua në vendin e tretë me kohën e përgjithshme 1’49”39. Fituese e kësaj gare doli ikona amerikane Mikaela Shiffrin me kohën 1‘48“82 (fitorja nr.106 në karrierë).
Gara e sotme riktheu Lara Colturi në qendër të vëmendjes, në një paraqitje të shkëlqyer në një pistë ku një ditë më parë gaboi në zbritjen e dytë. Ajo po kalon një moment të mirë, duke qenë sërish pretendente për të tjera podiume në të ardhmen.