Esposito, vendimtar ndaj Atalantës: Dua të punoj dhe të mësoj çdo ditë
29 Dhjetor 2025
8:00
Alfred Lleshi
Pio Esposito, vendimtar me asistin për Lautaron, pak minuta pas hyrjes në fushë, në fitoren kundër Atalantës, e komentoi kështu momentin e tij: “Dua të punoj dhe të mësoj çdo ditë. Mësoj çdo ditë nga kampionët tanë; në këtë skuadër është shumë e lehtë të mësosh. Nga viti 2026 dua më shumë rritje dhe punë, ashtu siç kam bërë gjithmonë”.
Sa i takon ndeshjes, Interi mori fitoren e katërt rresht në Serie A, duke fituar 0-1 në transfertën e vështirë ndaj Atalantës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të, e fundit për të dyja ekipet në këtë vit kalendarik. Zikaltrit gjetën golin në minutën e 35-të me Marcus Thuram, por u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it për pozicion të parregullt. Pjesa e parë mbyllet në barazim pa gola.
Sfida do të zhbllokohej në minutën e 65-të, ku Berat Gjimshiti gaboi dhe i dha topin të sapofuturit në fushë, Francesco Pio Esposito, i cili asistoi për Lautaro Martinez. Kapiteni zikaltër e kishte të lehtë ta dërgonte topin në rrjetë. Pas kësaj fitoreje, Interi e mbyll vitin në vendin e parë me 36 pikë. Atalanta mbetet në vendin e 10-të me 22 pikë.