Ronaldo dhe anekdota e tij më brutale: Më thyen dhëmbët, tre grushte nuk i pashë nga vinin…
29 Dhjetor 2025
10:34
Alfred Lleshi
Ronaldo Nazario është unik dhe i papërsëritshëm. Ai konsiderohet nga shumëkush si sulmuesi më i mirë në gjithë historinë, edhe pse pati një dëmtim të rëndë në gju, që ndikoi në performancën e tij për shumë vite. Me cilësinë e tij të jashtëzakonshme vazhdoi të ishte “fatal” për kundërshtarët.
Karriera e tij filloi shumë herët, si adoleshent në Brazil, duke eksploruar tashmë nofkën ‘Fenomeni’. Ai veshi fanellën e Cruzeiro para se transferohej në Europë. Një periudhë që nuk ishte e lehtë, sepse nuk ishte e zakonshme që dikush kaq i ri të dallohej, gjë që veteranët ia bënë të qartë.
“Ky episod është i pabesueshëm. Gjëra të të rinjve, kisha shumë vetëbesim dhe thashë në një intervistë në mesjavë se në ndeshjen e së dielës do të shënoja tre gola, – filloi të tregonte Ronaldo në një intervistë me Juan Sebastián Verón, pa e ditur se ky “bast” publik do të ishte gabim, që do ta kuptonte shpejt. – Arritëm në ndeshje, minuta e 2-të, topin e kishte mbrojtësi im. Unë po shikoja aty dhe vjen dikush nga pas e më jep një grusht. Bie përtokë, nuk dija nga vinte. Ngrihem me gjak, duke pyetur se çfarë po ndodhte, dhe ai më thotë: Këtu nuk do të shënosh kurrë tre gola, budalla”.
Ky ishte fillimi i një “ferri” të vërtetë: “O zot, çfarë grushti, por nuk mbeti me kaq. Pas 10 minutash, arbitri nuk kishte parë asgjë, vjen i njëjti kundërshtar, më godet përsëri, pothuajse më thyen një dhëmb tjetër. 5 minuta para përfundimit të pjesës së parë më dha një tjetër grusht pa e kuptuar fare. Vërtet nuk kishte shumë kamera dhe nuk u pa askund, por i kisha dhëmbët e thyer. Gërvishtje nga të gjitha anët, tre grushta kështu pa i parë…”
Si një kampion i vërtetë, ai arriti t’i kthente gjërat në favor të tij, pavarësisht moshës së re: “Dola duke qarë nga fusha, isha 16 vjeç, plotësisht pa përvojë. Më qetësuan dhe u ktheva për pjesën e dytë duke parë ku ishte ky budallai, jo topi. Në fund fituam ndeshjen 3-0 dhe shënova të tre golat”.