Tenis/ “Beteja ndërmjet gjinive”, tenisti australian Nick Kyrgios mund nr.1 të botës Sabalenkën
Nick Kyrgios del fitues në “Battle of the Sexes” të zhvilluar në Dubai. Tenisti australian mposhti Aryna Sabalenkën me rezultatin 6-3, 6-3, në një ndeshje ekzibicioni që zgjati rreth një orë e shtatëmbëdhjetë minuta. Përballja ofroi spektakël dhe argëtim, me Sabalenkën që ndezi publikun emiratas falë goditjeve të saj të fuqishme dhe disa momenteve të veçanta jashtë lojës.
Kyrgios e nisi takimin me një qasje lozonjare, duke shkëmbyer batuta dhe provokime sportive me numrin një të renditjes WTA, por në momentet kyçe rriti ndjeshëm intensitetin. Ashtu si në setin e parë, edhe në të dytin, në rezultatin 3-3, australiani përshpejtoi ritmin, mori avantazhin dhe e administroi deri në fund. Sabalenka u ndikua edhe nga rregullorja e veçantë e ndeshjes, që nuk lejonte shërbimin e dytë, por arriti gjithsesi të anulonte tre match point, duke marrë duartrokitjet e publikut.
Me këtë sukses, Kyrgios bëhet tenisti i tretë nga kategoria ATP që fiton një “Battle of the Sexes”, pas Bobby Riggs në vitin 1973 dhe Jimmy Connors në vitin 1992. Billie Jean King mbetet ende e vetmja grua që ka triumfuar në këtë përballje historike.
© BalkanWeb