Sqarime dhe sugjerime praktike mbi negociatat 2027
Më 17 Nëntor në Bruksel, bashkë me Grup Kapitullin e Pestë, u çelën të 33 kapitujt e negociatave tona të anëtarësimit në BE. Moment i rëndësishëm që vlen për t’u përshëndetur, bashkë me inaugurimin e selisë së re dinjitoze të Misionit tonë pranë BE-së. Çka realisht do të thotë se “muaji i mjaltit” mbaroi, tani kemi 2 vite plot punë dhe sfida. E thënë ndryshe, nëse deri tani ishim në “fushore” dy vitet e ardhëshme do të na duhet të ngjitim një “ malore” me plot kthesa të forta.
Këtë e them me bindje si ekspert, meqenëse e njoh mirë BE-në, mënyrën si ajo funksionon dhe procesin e negociatave; pas vitit 1997 jam marrë me këto dosje si diplomat për 20 vite në Tiranë, Berlin dhe Bruksel ku vazhdoj si analist i pavarur.
Mbi bazën e kësaj përvoje të gjatë në terren, në vijim të librit të botuar vitin e kaluar ” Negociatat, sfida e fundit e integrimit”, të dhjetra shkrimeve dhe analizave të tjera, më poshtë po bëj disa sqarime, saktësime dhe shpjegime praktike, bashkë me sugjerimet e rastit lidhur me mbylljen e mundshme të negociatave në vitin 2027.
Si fillim, le të përmendim pluset ose avantazhet e rëndësishme që kemi krijuar gjatë kësaj periudhe. Brenda vendit kemi mbështetjen më të madhe publike në rajon për anëtarësimin në BE; kemi goxha përvojë në këto 11 vitet pas fitimit të statusit kandidat; kemi një ekip negociatorësh me përvojë, të aftë dhe të kualifikuar, kemi një shërbim diplomatik në lartësinë e detyrës, sidomos Përfaqësinë tonë pranë BE-së në Bruksel dhe titullarin e saj, e cila është shquar në 15 vitet e fundit; shumë i rëndësishëm është kontributi i Kuvendit, i vlerësuar për punën e bërë për përafrimin e legjislacionit tonë me të BE-së dhe mbikqyrjen e gjithë këtij procesi.
Jashtë vendit, veç faktorit të favorshëm gjeopolitik, gëzojmë një imazh më pozitiv falë disa hapave të vlerësuar në fushën diplomatike, samiteve europiane në Tiranë, etj. Po ashtu, në parim gëzojmë mbështetjen politike, ekonomike dhe financiare të gjitha vendeve anëtare të BE-së, të Komisionit dhe Parlamentit Europian. Në vijim, ndryshe nga më parë, metodologjia e re e Zgjerimit Europian na lejon të përfundojmë njëherësh disa apo dhe të gjithë grup kapitujt.
Sa për negociatat, vlen të theksohet se ato vërtet zhvillohen me Komisionin Europian, veçse kjo në nivelin Teknik; por vendimin politik për mbylljen e tyre do ta japin të 27 vendet anëtare të BE-së, kur krahas rivlerësimit të gjendjes gjeopolitike, ato të jenë të bindura se i kemi plotësuar të gjitha kushtet dhe standardet. Mirëpo përvoja e vendeve të tjera dhe e jona tregon se pikërisht me ndonjë prej tyre mund të « na ngecë sharra në gozhdë»
Ca më tepër që miratimin tani e tutje nuk e japin vetëm MPJ-të e tyre, por parlamentet e secilit vend anëtar; ku, në shumicën dërmuese të tyre ka koalicione qeveritare, me mendime dhe interesa të ndryshme, madje dhe të kundërta, çka mund të jetë pengesë tjetër. Pa harruar Parlamentin Europian, edhe pse aty gjërat duken më të thjeshta, por prapë nuk i dihet.
Nisur nga sa sipër kërkohet kujdes që të mos fetishizojmë, siç ka ndodhur në jo pak raste Komisionin Europian dhe ekspertizën e tij; dhe as të amplifikojmë deklaratat bujare publike inkurajuese të zyrtarëve të lartë të Komisionit Europian, të cilat shpesh bien në kundërshtim me dokumentat zyrtare që ata vetë kanë nënëshkruar. Jo vetëm se pavarësisht rëndësisë së tyre, ato mbeten përherë këshillimore, por edhe sepse duke “shenjtëruar” Komisionin Europian dhe vlerësimet e tij, dashje pa dashje krijohen ndjenja kundërshtie, egoizmi dhe xhelozie të vendet anëtare. Nuk janë të pakta rastet kur këto të fundit kanë shfaqur mosdakordësira për vlerësimet e Komisionit dhe i kanë hedhur poshtë ato në shumë raste, përfshirë dhe rekomandimin për çeljen e negociatave me vendin tonë.
Meqenëse jemi te kjo pikë, përmenden shumë negociatat dhe negociatorët; mirëpo, ky është një zhargon ose eufemizëm europian që përdoret, siç thuhet në të tilla “për lehtësi përdorimi”. Në fakt, procesi dhe negociatat/negociatorët, më shumë se sa me negociimin Teknik të qindra mijra faqeve të korpusit ligjor të BE-së kanë të bëjnë me realizimin e reformave komplekse madhore, me plotësimin e kushteve dhe kritereve tashmë të njohura, që mishërohen në të 6 grup kapitujt e negociatave.
Kjo do të thotë se sidomos fatin Politik të negociatave e kanë në dorë në radhë të parë qeveria dhe shumica parlamentare; POR, domosdoshmërisht në frymë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi të ndërsjellë me opozitën, shoqërinë civile, median, gjithë aktorët/faktorët e tjerë politikë, ekonomikë, socialë, etj. Mirëpo pikërisht këtu çalojmë shumë, sidomos tani kur po hapen “ defterët” e llogaridhënies.
Ja pse, tani kërkohen punë dhe përpjekje shumë më të mëdha, reforma dhe mbi të gjitha zbatimi i ligjeve, krijimi i frymës dhe klimës së duhur që të garantojë sloganin e drejtë se në BE do të hyjë gjithë Shqipëria. Por, siç “duken bathët” deri tani, jemi ende larg kësaj frymë vërtet europiane; madje, ka raste kur në praktikë më shumë duket se po largohemi se sa i afrohemi asaj. Mirëpo pa këtë frymë, ”gërmat”, sado të bukura e humbasin vlerën, edhe sikur ”namin të bëjnë” negociatorët tanë.
Kështu, të mos na gënjejë se do ta hedhim “lumin e negociatave“, duke mos e trajtuar sipas standardeve europiane apo dhe ca më keq duke përbuzur dhe injoruar opozitën. Shembujt negativë këtu janë të shumtë dhe të njohur. Mirëpo kjo, krahas opozitës, është përgjegjësi e shumicës qeverisëse, sepse sidomos me numrat në Kuvend, ajo ka “edhe gurin edhe arrën“
Por edhe opozita duhet të shohë gjynahet, kusuret, gabimet dhe sjelljen e vet politike, duke shfaqur frymë europiane, si çdo opozitë e moderuar në Europë.
E njëjta gjë mund të thuhet dhe për sjelljen ndaj medias. Në këtë drejtim është përcaktuese shmangia dhe mospërsëritja e disa incidenteve të pakëndshme dhe të dëmshme që kanë ndodhur dhe tani së fundi si me News 24, kërcënimet ndaj gjyqtarëve, dorëheqjet e detyruara kolektive në bashkitë e vendit dhe riparimi në kohë i efekteve të tyre negative, të cilat përmenden edhe në raportin më të ri të Progresit të Komisionit Europian për vendin tonë.
Më tej, pavarësisht nga gjeopolitika e favorshme që kemi patur, kërkohet kujdes, se, sado e rëndësishme të jetë ajo, prapë, BE-ja nuk ka ndërmend të sakrifikojë kriteret e Kopenhagenit, procedurat dhe faktin e saj duke injoruar meritën e secilit vend dhe sidomos bilancin e reformave europiane; jo me fjalë, jo në letër, jo më me batuta, slogane dhe fanfara, por me përmirësime në përditshmërinë e jetës – paga, pensione, ndihmat sociale, bujqësi e zhvilluar dhe mbështetur fuqimisht nga shteti, për një shoqëri civile pa krim dhe korrupsion, për një vend të gjelbër dhe mjedis të qëndrueshëm dhe për frenimin e emigrimit të paligjshëm. Ndryshe, edhe vetë gjeopolitika do të humbiste vlerat e saj, pa përjashtuar faktin që edhe ajo në vitet e ardhëshme mund të mos jetë më dhe aq e favorshme.
Treguam më lart avantazhin që na jep metodologjia e re e zgjerimit e BE-së lidhur me mundësinë e mbylljes në të njëjtën kohë të disa ose të gjitha grup kapitujt. Mirëpo këtu ka dy pengesa: E para, Grup Kapitulli « Themeloret » me « pesha të rënda» demokratike, si gjyqësori, të drejtat e njeriut, korrupsioni, etj do të çelet sërish kur të jenë mbyllur të gjithë grup kapitujt e tjerë dhe kjo mund të na rihapë « plagët e vjetra. Ca më keq akoma, metodologjia e re parashikon që në rast problemesh, negociatat mund dhe të pezullohen ose të kthehen nga fillimi, siç ka ndodhur me Malin e Zi dhe Serbinë për vite me radhë.
E fundit por akoma më e rëndësishmja është kthesa e nevojshme në drejtim të informimit publik lidhur me ecurinë e çdo kapitulli, hapat, problemet dhe pengesat. Sepse vetëm kështu bëhet ndërgjegjësimi i gjithë shoqërisë, duke krijuar besimin dhe bindjen se Shqipëria mund t’i përfundojë negociatat brenda vitit 2027.
Mirëpo, për fat të keq, deri tani ky objektiv tejet i guximshëm duket sikur është bërë fakt i kryer ose spektakël, kur në fakt jemi ende shumë larg, sidomos kur u referohesh treguesve kryesorë. Ja bie fjala, ndonëse ka kaluar një vit qëkurse u çel grup kapitulli « Themeloret » ose « Thembra e Akilit » e negociatave, nuk ka asnjë tregues dhe informacion se ku janë problematikat, pengesat dhe kur mund të mbyllet ky grup kapitull, që e theksojmë se do të rihapet sërish kur të jenë mbyllur gjithë të tjerët. Po kështu dhe për grup kapitujt e tjerë që janë çelur disa muaj më parë. Ja pse ky informim publik është i munguari i madh dhe me pasoja!
Përfundimisht, nisur nga të gjitha këto pluse, minuse, procedura, dhe tematika, negociatat mund të mbyllen brenda vitit 2027 vetëm nëse gjithçka do të ecë “si thika në gjalpë“ pa asnjë problem dhe krizë, pa asnjë vonesë, pengesë dhe vonesë.
E megjithatë, kujdes, se sfida madhore e anëtarësimit në BE nuk merr fund me mbylljen e negociatave. Sepse ratifikimi pas vitit 2027 i Traktatit të Anëtarësimit nga parlamentet e të 27 vendeve anëtare të BE-së nuk është formal dhe procedurial. Sepse edhe pas vitit 2027, BE-ja do të na kalojë ‘në vrimë të gjilpërës’ duke “shikuar në lupë” situatat, afera dhe kriza të reja të mundshme gjatë mbi 2 viteve që do të vazhdojë procesi i ratifikimit në të gjitha Vendet Anëtare të BE-së.
Mbi të gjitha, për të qenë të saktë dhe të drejtë, ”Shqipëria në BE 2030” është vetëm objektivi ynë, natyrisht ai ka mbështetjen në parim të Komisionit Europian, por BE-ja, dmth vendet e saj anëtare nuk e kanë shpallur këtë objektiv në asnjë dokument të tyre dhe nuk besohet ta bëjnë këtë për shumë shkaqe dhe arsye.
Mbi të gjitha mbasi Këshilli i BE-së, dmth vendet anëtare nuk janë të qarta se çdo të bëhet me reformimin e brendshëm të BE-së, si kusht i tyre për realizimin e zgjerimit nga jashtë. Ka shumë ide dhe diskutime, por asnjë vendim. Madje, javët e fundit, për shkak te pengesave të njohura nga brenda BE-së, po hidhen ide dhe mendime që për t’i dalë të keqes përpara, me qëllim që të mos ketë “ kuaj Troje”, sic e tha me 4 Nëntor në Bruksel Komisionerja Marta Kos me rastin e prezantimit të Raport Progresit për vendet e Ballkanit Perendimor; përfshirë edhe një periudhë ‘stazhi’ ose kalimtare për disa vite, anëtarësim pa të drejtë vote, etj.
Sa për aspektin gjeopolitik si atuja më e fortë e zgjerimit, BE-ja ka përvojë dhe shumë fantazi, duke sajuar lloj lloj mekanizmash dhe marifetesh të tjera, siç edhe ka bërë deri tani, që do të shërbejnë si gjethe fiku për të mbuluar vonesën apo dhe dështimin në këtë proces. Pa përjashtuar rastet kur dhe vetë Komisioni Europian mund “ të verë gishtin mbi plagë” për të justifikuar çdo vonesë apo refuzim.
Ndaj do kuptuar nga të gjithë, por sidomos shumica qeverisëse se tani është koha për punë, reforma dhe realizime konkrete nga brenda dhe jo nga jashtë nesh. Nuk na duhen rekordet në start, por reformat në finish; sepse realisht, edhe nëse ia arrijmë të mbyllim negociatat dhe anëtarësohemi në BE në vitin 2030, një mision mamuthian, sidomos përballë realiteteve tona të brendshme, kjo prapë do të jetë sa ngjarje aq edhe rekord vonese; se do të thonë hyrje në BE 21 vjet pas kërkesës, kur ”simotrave” tona lindore iu deshën gjithsejt jo më shumë se 10 – 15 vjet!
Ndaj, është më e drejtë të flasim, për atë që kemi ne më shumë në dorë, dmth përfundimin e mundshëm të negociatave brenda vitit 2027; ndërsa 2030 le tia lemë kohës dhe BE-së, se janë ato që e kanë plotësisht në dorë dhe që vendosin.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb