Besnikëria që ndërtoi legjendat; Buffon flet për Del Pieron dhe vitet e vështira të Juventusit
31 Dhjetor 2025
8:59
Alfred Lleshi
Kjo dëshmi prekëse tregon se futbolli nuk është vetëm trofe dhe kontrata, por edhe besnikëri, miqësi, zgjedhje që shkojnë përtej karrierës. Gianluigi Buffon rrëfen momentet më të forta pranë Alex Del Piero-s, nga refuzimi i Real Madridit te lamtumira emocionale në “Allianz Stadium”:
“Alex më kishte rrëfyer se e kishte telefonin plot me telefonata dhe unë nuk mund të ankohesha. ‘Real Madridi më ka kontaktuar përmes drejtorit sportiv, Gigi’, – më tha një herë në lokal. Një drithërimë ma përshkoi trupin. ‘E kam refuzuar’, – shtoi më pas. Mora frymë i lehtësuar dhe mendova se të qëndroja në Torino ishte gjëja më e drejtë.
Të qëndroje në krah të Alex ishte një detyrë, sepse ai kishte shpenzuar për këtë fanellë vite që mund t’i kishte shpenzuar diku tjetër. Juventusi zbret në Serie B për faje që nuk ekzistonin dhe të thërret Reali… Nëse refuzon, je mit. Kur më pyetën te cila skuadër doja të shkoja, nëse largohesha nga Juventusi, u përgjigja: ‘Pse duhet të largohem? Jo, qëndroj me Alex’.
Ditën e ‘standing ovation’ në ‘Allianz Stadium’, ndodhi gjëja më e pabesueshme që kam parë ndonjëherë për një futbollist. Hymë në dhomat e zhveshjes pas dorëzimit të trofeut. Alex bëri disa foto me Claudion (Marchisio), pastaj iu afrova dhe e shtrëngova fort. Ishte një përqafim shumë i gjatë.
‘Do të më mungosh shumë, mik’, – i thashë dhe ai shpërtheu sërish në lot. Pirlo u përpoq ta qetësonte, sepse na kishte ‘përmbytur’ më parë. ‘Askush nuk do të jetë kurrë si ti’, – i thashë. Ai fshiu lotët si një fëmijë kokëfortë dhe tha: ‘Duke qenë miq si ne, mund të na mungojë njëri-tjetri, jemi shumë të lidhur. Do të vazhdoj të jem njëri prej jush, përgjithmonë’.
Pastaj mori sërish trofeun nga toka: ‘E bëjmë një foto, Gigi?’ Puthja e tij në faqe ishte spontane. Del Piero më ka ndihmuar më shumë se kushdo tjetër te Juventusi, ishte i pari që u përball me Conten kur ai u zemërua për gabimin tim kundër Lecce. Nuk do të takoj kurrë askënd si Alex Del Piero dhe ndoshta, në fund të fundit, bota nuk mund të na dhurojë një tjetër si ai”.