2025-a viti i hetimeve të mëdha! Nga Balluku te Veliaj dhe dosja “AKSHI”, dosjet që tronditën politikën shqiptare
Viti 2025 është shënuar nga një valë e fortë hetimesh dhe goditjesh penale ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe lokalë në Shqipëri, duke e vendosur luftën kundër korrupsionit në qendër të vëmendjes publike.
Nga arrestimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, te hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, drejtuesve të institucioneve kyçe, zyrtarëve të rendit dhe kryebashkiakëve në disa bashki të vendit, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ndërmarrë një sërë veprimesh që kanë tronditur skenën politike dhe institucionale.
Erion Veliaj
Më 10 shkurt 2025 me urdhër të SPAK u arrestua kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj i cili përballet me akuza të rënda për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsion aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim”.
Veliaj dhe bashkëshortja e tij Ajola Xoxa sipas SPAK ngritën një skemë korrupsioni dhe pastrimit të parave përmes OJF-ve që zotëroheshin nga Xoxa. Ai u la në qeli nga GJKKO më 12 shkurt, vendim që u mbështet edhe nga vendimi i Apelit të GJKKO me 13 mars.
Më 8 korrik 2025, Gjykata e Lartë la në fuqi masën e “arrestit me burg” për kryebashkiakun Erion Veliaj, duke rrëzuar rekursin e tij. Më 25 shtator Këshilli i Ministrave miratoi propozimin e Këshillit Bashkiak dhe shkarkoi nga detyra Erion Veliajn, i cili ankimoi këtë vendim në Kushtetuese. Përmes një seance publike ku ishte prezent edhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Kushtetuesja vendosi më 3 nëntor 2025 rikthimin e tij në detyrë, duke pezulluar kështu zgjedhjet në Bashkinë e Tiranës.
Balluku
Një nga skandalet më të mëdha të një zyrtari të lartë që ka rënë në rrjetën e drejtësuisë, është ai i zëvendës kryeministres dhe njëkohësisht ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Pas një hetimi mbi 1-vjeçar për Ballukun dhe vartësit e saj, me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e pezulloi nga detyrat e zv.kryeministres dhe ministres, e cila përballet me akuzat për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me procedurën e prokurimit të ndërtimit të tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe.
Po ashtu Gjykata e Posaçme vendosi edhe masën e ndalimit për daljen jashtë vendit për Ballukun, duke i bllokuar pasaportën.
Më 21 nëntor 2025 qeveria dërgoi në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për pezullimin e vendimit të GJKKO. Më 12 dhjetor 2025 Kushtetuesja kaloi për shqyrtim ankimimin e qeverisë dhe vendosi rikthimin në detyrë të Belinda Ballukut. Më 16 dhjetor 2025 SPAK i dorëzoi kërkesë Kuvendit për heqjen e imunitetit për zëvendëskryeministren dhe ministren Belinda Balluku.
Në mbledhjen e 19 dhjetorit 2025 Këshilli i Mandateve vendosi shtyrjen e mbledhjes pasi avokati i zëvendëskryeministres kërkoi kohë për t’u njohur me aktet.
Kujtojmë se masa sigurie u vendosën edhe ndaj drejtorit të KESH, Erald Elezi dhe drejtorit të ARRSH, Gentian Gjyli. Ndaj Gjylit dhe Elezit, GJKKO caktoi masën “arrest në shtëpi”.
AKSHI
Një tjetër skandal i zbuluar pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, është ai i Agjencisë së Shoqërisë së Informacionit (AKSHI). Më 16 dhjetor SPAK dhe BKH ndërmorën një aksion ku ushtruan kontrolle në banesa dhe zyra në zonën e Kodrës së Diellit në Tiranë, ndërsa Prokuroria e Posaçme kërkoi masa arresti për drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj, zv.drejtoreshën Hava Delibashi, biznesmenët Ergys Agasi, Ermal Beqiri dhe tre administrator subjektesh. Ndaj zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Erion Ismaili u dhanë masat e sigurisë pezullim nga detyra dhe iu ndalua dalja jashtë vendit.
Në kuadër të këtij hetimi ndaj drejtoreshës së AKSHI-t Mirlinda Karaçanaj u lëshua masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa akuzohet për “Shkelje të barazisë në tendrë dhe ankande publike” kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”. Nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” u la edhe zëvendës drejtoresha e AKSHI, Hava Delibashi.
SPAK nuk u ndal vetëm me zyrtaret e AKSHI, por kërkoi masa sigurie edhe për dy biznesmenë, të cilët dilnin në përgjime dhe ndaj të cilëve rëndojnë akuzat për “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqje e paligjshme e lirisë”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Ndaj biznesmenëve Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri u caktua masa “arrest në burg”, por asnjë prej tyre nuk ka përfunduar ende në pranga.
“21 janari”
Gjatë 2025, një rikthim i vëmendjes ka qenë edhe për dosjen e “21 Janarit”, ku u thirrën për të dëshmuar ish-ministri i Brendshëm Lulzim Basha, ish-kryeministri Sali Berisha he ish Presidenti Bamir Topi.
Pas marrjes në pyetje nga prokurorët e posaçëm, Berisha u shpreh se nuk ka pasur asnjë urdhër për Gardën për të qëlluar me armë mbi protestuesit dhe se Garda ka zbatuar vetëm ligjin, ndërsa zoti Topi i kurseu detajet duke u shprehur se çështja është ende nën hetim.
SPAK thirri për të dëshmuar edhe kreun e PL, Ilir meta, i cili në 2011 mbante postin e zëvendës kryeministrit. Kujtojmë se meta kishte kërkuar vetë që të thirrej për të dëshmuar, duke pretenduar se kishte informacione mbi ngjarjen.
Tërmet Peçi
SPAK ka nën hetim ish-kreun e Bashkisë Tepelenë, Tërmet Peçi për denoncimin e Arben Ristanit, i cili depozitoi në SPAK një kallëzim penal, duke e akuzuar atë dhe drejtorin e bashkisë, Lorenc Bamin, për ngritjen e një skeme të mirëfilltë korrupsioni me tendera, fonde publike dhe pasuri shtetërore dhe një çështje që lidhet me kallëzimin e Adriana Kalasë, ku Peçi dyshohet i përfshirë në tre vepra të rënda penale, “shkelje të barazisë në tendera, Korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Jonaid Myzyri
Më 24 qershor 2025 Prokuroria e Posaçme mori të pandehur kreun e Prokurimeve Publike, Jonaid Myzyrin, i cili përballet me akuzat për “Shkelje të barazisë në tenderë, të kryer në bashkëpunim.”. Ai u gjet i përfshirë në një tender për mirëmbajtjen e rrugës Rrëshen (Ura e Fanit)-Shpal, Shpal-Qafë Bene-Hadroj dhe Shpal-Ura e Repsit me kosto 2.2 mln euro i zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar më 18 shtator të vitit 2020.
Majlinda Bufi
Kryetarja e Bashkisë së Roskovecit, Majlinda Bufi u mor e pandehur nga SPAK për veprën penale të “Përdorimit të funksionit publik për veprimtari politike”. Bufi akuzohet se në zgjedhjet e vitit 2023 kërcënoi një qytetar që të votonte në favor të PS. Ajo mban detyrën e Kryetares së Bashkisë së Roskovecit që prej vitit 2015.
Kristian Shkreli
Më 23 tetor 2025 SPAK mbylli hetimet dhe kaloi për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës, Kristian Shkreli me akuzën për korrupsion në zgjedhjet e 11 majit 2025, ndërsa më 5 dhjetor GJKKO ka vendosur të kalojë për gjykim dosjen e kryebashkiakut socialist të Vaut të Dejës, Kristian Shkreli.
Rexhë Byberi
Më 4 mars 2025 SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim Kryebashkiakun e Tropojës, Rexhë Byberi dhe zëvendësin e tij Abedin. Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre me dëm financiar mbi 277 milion lekë, ku për ndërtimin e dy rrugëve rrafshuan pyjet pa u konsultuar me institucionet e tjera të mjedisit.
Benet Beci
Benet Beci më 19 dhjetor 2025 u mor zyrtarisht i pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera, pas një hetimi që zgjati për më tepër se një vit dhe tashmë po bëhet gati t’i dorëzohet Gjykatës Antikorrupsion. Beci po hetohet për periudhën kur nuk ishte kryetari bashkie, por mbante postin e kreut të KESH. Hetimi lidhet me tenderin prej pothuajse 700 mijë euro të vitit 2019 për një projekt kërkimor në fushën e sektorit energjetik.
Erion Isai
Më 24 shtator kryebashkiaku i Kolonjës, Erion Isai u mor i pandehur nga SPAK. Ai akuzohet për “Shkelje të parimeve të barazisë së pjesëmarrësve në tendera ose ankande publike”. Një rast që përmendet është rikonstruksioni i digës së Rezervuarit të Gjonçit dhe ndërtimi i pritave malore në fshatrat e Bashkisë Kolonjë, gjatë vitit 2023 si dhe për tendering e rrugës Korçë-Ersekë.
© BalkanWeb