Bilanci tragjik me 3 të vdekur, shihni pamjet nga aksidenti që i mori jetën 3 të rinjve në Gjirokastër
Pamjet që shihni tregojnë vendin e ngjarjes ku ndodhi aksidenti tragjik që i mori jetën 3 të rinjve në ditën e parë të vitit 2026. Ngjarja ndodhi në aksin Gjirokastër-Tepelenë, në vendin e quajtur Bypass. Siç shihet nga pamjet, një prej automjeteve është përplasur me murin anësor të rrugës.
Dy automjetet janë përplasur fort me njëra-tjetrën, duke shkaktuar një bilanc tragjik.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:18. Automjeti me drejtues shtetasin Martin Dulaj, 25 vjeç, banues në Tepelenë është përplasur me automjetin që drejtohej nga shtetasi Klejdi Myftari, 24 vjeç, banues në Tepelenë.
Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën dy drejtuesit e automjeteve, pasagjeri shtetasi Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, banues në Tepelenë, si dhe ka mbetur e dëmtuar shtetasja Arsida Demiri, 19 vjeçe, banuese në Delvinë, e cila ndodhet në spitalin e Traumës, në kujdesin e mjekëve.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor është kryer për disa orë me vështirësi.
© BalkanWeb