‘Numër alarmant aksidentesh në rrugën e Kombit’, PD denoncon: Papërgjegjshmëri e qeverisë. Nuk u mor asnjë masë parandaluese
‘Numër alarmant aksidentesh në rrugën e Kombit’, PD denoncon papërgjegjshmërinë e qeverisë: Nuk u mor asnjë masë parandaluese
Partia Demokratike denoncon me forcë papërgjegjshmërinë e plotë të institucioneve shtetërore, të cilat, edhe pse ishin të paralajmëruara për motin e keq, nuk morën asnjë masë parandaluese në Rrugën e Kombit. Mos hedhja e kripës dhe neglizhenca e plotë e qeverisë kanë sjellë kaos në qarkullim dhe një numër alarmant aksidentesh, duke vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve.
Kjo është një tjetër provë e dështimit të qeverisë për të garantuar sigurinë publike dhe e arrogancës së një pushteti që ka braktisur qytetarët e tij. Partia Demokratike i kërkon institucioneve përgjegjëse të veprojnë menjëherë dhe të marrin përgjegjësi për pasojat e kësaj papërgjegjshmërie.
Në emër të Partisë Demokratike, u bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, pasi qeveria ka treguar edhe një herë se është e paaftë dhe e pavullnetshme për të përmbushur detyrimet e saj më minimale ndaj sigurisë së qytetarëve!
© BalkanWeb