Hamasi kërkon lirimin e luftëtarëve të bllokuar në tunelet nëntokësore në Gaza
Lëvizja palestineze Hamas i bëri thirrje të mërkurën vendeve ndërmjetësuese që të ushtrojnë presion ndaj Izraelit për të lejuar largimin e dhjetëra militantëve të saj, të cilët sipas saj janë të bllokuar në tunelet nëntokësore në jug të Rripit të Gazës.
Apeli i Hamasit erdhi pasi ushtria izraelite njoftoi se gjatë javës së kaluar ka vrarë mbi 20 anëtarë të grupit “të cilët po përpiqeshin të arratiseshin nga objektet terroriste nëntokësore” në zonë, ndërsa tetë të tjerë janë arrestuar.
Në deklaratën e saj, lëvizja islamiste tha se mban Izraelin “plotësisht përgjegjës për jetën e luftëtarëve tanë”, duke u kërkuar ndërmjetësve ndërkombëtarë të “veprojnë menjëherë” dhe të sigurojnë që ata të mund të kthehen të sigurt në shtëpitë e tyre”. Kjo është hera e parë që Hamasi e pranon publikisht se një numër luftëtarësh të tij janë të izoluar në rrjetin e tuneleve nëntokësore.
Për javë me radhë, mediat izraelite kanë raportuar se midis 100 dhe 200 militantë të krahut ushtarak të Hamasit ndodhen të bllokuar në tunele nën qytetin Rafah, zonë që aktualisht kontrollohet nga ushtria izraelite.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nën presionin e SHBA-së dhe që hyri në fuqi më 10 tetor, Izraeli duhej të tërhiqej nga pjesa bregdetare e enklavës, përtej të ashtuquajturës “vija e verdhë”. Megjithatë, çështja e luftëtarëve të bllokuar mbetet një pikë e nxehtë në negociata.
I dërguari special amerikan, Steve Witkoff, gjatë një aktiviteti biznesi në Miami këtë muaj, përmendi “rreth 200 militantë të bllokuar në Rafah”, duke e cilësuar fatin e tyre një “provë” të qëndrueshmërisë së armëpushimit aktual.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb