Tre lojtarë të njohur i vetëofrohen Barcelonës, mes tyre ylli i madh i Bundesligës
5 Janar 2026
18:36
Telesport
“Mundo Deportivo” zbulon se 3 lojtarë të njohur kanë shprehur interesin për t’u transferuar te Barcelona, përmes përfaqësuesve të tyre. I pari është Joao Cancelo, portugezi ka përplasje me trajnerin Simone Inzaghi te Al-Hilal dhe ka kërkuar largimin.
“Mbrojtësi portugez beson se profili i tij sulmues përshtatet në mënyrë të përkryer me stilin e lojës së Barcelonës. Jorge Mendes është agjenti i tij dhe po punon për një transferim,” thuhet në raportimin e “Mundo Deportivo”. Në garë për portugezin është edhe Inter, madje zikaltrit kanë arritur marrëveshjen verbale me Al-Hilal, por ende jo me lojtarin.
Dy lojtarët e tjerë janë Dusan Vlahovic dhe Nico Schlotterbeck. Sulmuesi serb, aktualisht i dëmtuar, ka shprehur dëshirën për t’iu bashkuar Barcelonës si lojtar i lirë në verën e ardhshme. Vlahovic shihet si zëvendësuesi ideal i Robert Lewandowski-t. Edhe Nico Schlotterbeck duket se ka zgjedhur Barcelonën si destinacionin e tij të ri, por problem mbetet shifra që kërkon Dortmund, që mendohet të jetë rreth 40 milionë euro. Për 26-vjeçarin ka interes edhe nga klubet e tjera të mëdha si Bayern, Real Madrid, Liverpool dhe PSG.