Pekini përkujton 113 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 76 vjet marrëdhënie diplomatike Shqipëri-Kinë
Mbrëmjen e së mërkurës në Pekin, në një ceremoni festive të organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kinë, u përkujtua 113 vjetori i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe 76 vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Të pranishëm në aktivitet ishin zv/Ministrja e Punëve të Jashtme të Kinës, znj.Hua Chunying, ambasadorë dhe përfaqësues të trupit të huaj diplomatik, mediat vendase dhe bashkëatdhetarë shqiptarë që jetojnë në Pekin.
Në fjalën e tij Ambasadori i Shqipërisë në Pekin z.Riza Poda theksoi rëndësinë e forcimit e marrëdhënieve midis dy vendeve, me fokus në bashkëpunimit ekonomik dhe turizmin.
Bashkëpunimi ekonomik është një shtyllë qendrore. Kina ka qenë partneri ynë i dytë më i madh tregtar për tre vjet rresht.
Numri i vizitorëve kinezë në Shqipëri është rritur me 107% gjatë dy viteve të fundit.
Ai gjithashtu risolli në vëmendje që falë mbështjetjes së qeverisë kineze, po vazhdojnë negociatat për vendosjen e fluturimeve direkte mes Kinës dhe Shqipërisë.
Negociatat për fluturime direkte midis Kinës dhe Shqipërisë janë aktualisht në zhvillim e sipër, ndaj shpresojmë që ato të fillojnë së shpejti me mbështetjen e zonjës Hua.
Në fjalën e saj zv/Ministrja e Jashtme e Kinës, znj.Hua Chunying, vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare ndaj marrëdhënieve me Kinën dhe rikonfirmoi mbështjeten e vazhdueshme të qeverisë kineze ndaj projekteve të bashkëpunimit me Shqipërinë.
Pala kineze vlerëson shumë deklaratat pozitive të Kryeministrit Rama, në lidhje me zhvillimin dhe rolin e Kinës, si dhe qëndrimin e tij të qartë në mbështetje të hapjes dhe bashkëpunimit.
Kina është e gatshme të forcojë mbështetjen e ndërsjellë me Shqipërinë dhe të jetë një partnere e besueshme në rrugën e modernizimit të secilit vend.
Ndërkohë aktiviteti u pasurua edhe nga performancat artistike të tenorit Armaldo Kllogjeri, instrumentisteve Kristina Petrollari dhe Dorina Laro, si edhe valltarët e ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve të Shqipërisë, të cilët sollën për të pranishmit tingujt dhe notat e traditës shqiptare.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb