A është Evis Berberi ‘pentito’? Gazetarja Lala zbardh dëshminë pas hekurave të krahut të djathtë të Ballukut: Mund të ketë akuza të tjera. Skandali me supervizimin e tunelit të Llogarasë
Për zëvendëskryeministren Belinda Balluku mund ketë të tjera akuza. Kështu paralajmëron gazetarja Klodiana Lala.
E ftuar në studion e News24, Lala tha se Evis Berberi nuk është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë, ndërsa shtoi se ai ka pranuar komunikimet e publikuara mes tij dhe Ballukut.
“Jo nuk ka një pendesë të tij në kuptim të ligjit, pra nuk është i penduar i drejtësisë. Në momentin kur iu vunë përpara komunikimet i pranoi, pa dhënë shpjegime. Kur erdhi akuza pati deklarata nga Ahmetaj, ish/zvkryeministëri në arrati. Të gjitha të dhënat u gjetën në blacberry. Këto të dhëna u ballafaquan dhe me biseda kur zonja Balluku ishte jashtë shtetit. U bënë verifikime të datave se kur u bënë tenderat. Këto rezultuan në përfundimin se zonja Balluku kishte paracaktuar tenderin për tunelin e Llogarasë. Po ashtu skandale ka dhe për tenderin e supervizimit, por dhe për lotin e Unazës së Madhe.
Edhe tenderi për supervizimin e tunelit, është një skandal, e kam zbardhur në emisionin ‘Në shënjestër’. Është një shtetas grek, ku thotë; Berberi më dërgoi ortakun e tij dhe më kërkuan…u përshtatën kriteret e tenderit që ta fitonim atë. Duhej të vinin ekspertë të huaj nga Greqia, por nuk erdhi asnjë i tillë. Kishin futur emra të inxhinierëve dhe topografëve që nuk kishin shkuar kurrë në punë. Iu ishin marrë firmat apo iu ishin dhënë pagesat. Së treti; shtetasi grek po shqetësohej se tenderi nuk po ndërtohej siç duhej. Ai kishte frikë nga arrestimi, pasi nuk po zbatoheshin procedurat. Ai tha; “Pasi e ngrita alarmin në një nivel të tillë, atëherë Evis Berberi e përmirësoi nivelin e ndërtimit”. Tenderi për ndërtimin e tunelit, i paracaktuar, i supervizimit, i paracaktuar, i Unazës së madhe, apo i Thumanë-Kashar, apo Qafë-Plloç, janë tendera që Open Data ka ngritur flamurin e kuq. Ndaj prokurorët nuk kanë asnjë ndalesë që të shtrijnë më tej hetimet. Duhet të hetohen dhe celularët po ashtu.”, tha ajo.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
