Më të mirët e eliminatoreve/ Strakosha, Mitaj, Asllani dhe Manaj, vendimtarë për Shqipërinë
Kombëtarja e Shqipërisë do të luajë për herë të parë në fazën e play off të një Botërori. Në këtë arritje historike, meritë kanë të gjithë kuqezinjtë, megjithëse disa më shumë.
Kjo konfirmohet nga statistikat, që tregojnë se disa prej lojtarëve dhanë më shumë në sfidat kualifikuese.
Një nga pikat më të forta të skuadrës së Sylvinho ishte në prapavijë.
Në tetë ndeshje, Shqipëria pësoi vetëm pesë gola, nga këto katër në dy ndeshjet kundër Anglisë dhe një ndaj Letonisë.
Këtu meritë kishte Thomas Strakosha, I cili sipas statistikave të përgjithshme të eliminatoreve të “Botërorit 2026” është një nga tre portirët më të mirë.
Ai ka mbajtur portën të paprekur në 5 ndeshje, ndërsa e kalon vetëm Pikford I Anglisë, që nuk pësoi asnjë gol në ndeshjet e grupit.
Strakosha ndan vendin e dytë me portierin e Spanjës, Unai Simon, por gardiani kuqezi ka bërë më shumë pritje në katërkëndëshin e tij, plot 20 të tilla.
Një tjetër lojtar që sipas statistikave të sitit të specializuar “Sofascore”, që vendosi firmën e tij në këtë kualifikim historik është Mario Mitaj.
Mbrojtësi i majtë merr një vend nderi në formacionin më të mirë të eliminatoreve, ku bëjnë pjesë disa prej yjeve të futbollit si Mbappe, De Bruyne, Olise, Pedri apo Van Dijk.
Në ndeshjet e luajtura, gjithmonë titullar, Mitaj ka një mestare vlerësimi me notën 7.62.
Nuk qëndron pas Kristjan Asllani. Mesfushori ishte motori i vërtetë i kombëtares kuqezi, ndërsa nuk humbi asnjë minutë në tetë ndeshjet e kualifikueseve të fundit.
Më shumë se kaq, ai ishte vendimtar me golat e tij në dy ndeshje, duke vulosur fitoren ndaj Letonisë dhe Andorrës.
Duke qëndruar te golat, realizuesi më i mirë në eliminatoret e “Botërorit 2026” ishte Rey Manaj. Sulmuesi vendosi shenjën e tij në tre prej shtatë rrjetave të kombëtares shqiptare në Grupin K.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!