Trafikonin automjete të vjedhura drejt Shqipërisë, sekuestrohen dy makinat me vlerë mbi 100 mijë euro në Tiranë
Operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i nisur një ditë më parë, ka vijuar edhe sot me sekuestrimin e dy automjeteve të tjera luksoze, të dyshuara si të trafikuara drejt Shqipërisë. Policia e Tiranës njoftoi se janë sekuestruar një “Audi A6” dhe një “Audi A5”, me vlerë totale rreth 105 000 euro.
Kjo masë vjen pas sekuestrimit të dy automjeteve të tjera një ditë më parë, me vlerë 110 000 euro, duke e çuar në katër numrin e makinave të bllokuara në kuadër të operacionit.
Sipas Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, hetimet kanë çuar në identifikimin dhe shpalljen në kërkim të dy shtetasve:
-V. M(L)., i dyshuar për trafikimin e automjetit “Audi A6”, i vjedhur në Gjermani dhe i sjellë në Shqipëri për t’u shitur;
-J. C., i dyshuar për trafikimin e “Audi A5”, automjet që rezulton i vjedhur në Bullgari.
Të dy automjetet, prodhime të viteve të fundit, janë sekuestruar si prova materiale.
Njoftimi i policisë:
Vijon operacioni policor i koduar “Stolen Line”, i finalizuar një ditë më parë.
Sekuestrohen 2 automjete (“Audi A6” dhe “Audi A5”), me vlerë rreth 105 000 euro.
Një ditë më parë u sekuestruan edhe dy automjete të tjera, me vlerë 110 000 euro.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, në vijim të operacionit policor “Stolen Line” si rezultat i punës hetimore për goditjen e veprimtarisë së paligjshme të trafikimit të automjeteve luksoze, kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:
-V. M(L)., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Audi A6” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Gjermani;
-J. C., i cili dyshohet se ka trafikuar automjetin tip “Audi A5” me qëllim shitjen në Shqipëri, i cili rezulton i vjedhur në Bullgari;
Dy automjetet, prodhime të viteve të fundit, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Operacioni policor i koduar “Stolen Line” vijon.
Materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb