Kreu i SPAK vizitë dyditore në Bruksel, fokusi tek lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar
BRUKSEL– Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zhvilluar një vizitë pune dyditore në Bruksel.
Ai u takua me zyrtarë të lartë të BE-së, ndërsa theksi i bisedës u vendos në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“Vizitë shumë e mirë dyditore në Bruksel e Kryeprokurorit të Posaçëm të Shqipërisë, Altin Dumani, i cili u takua me zyrtarë të lartë të BE-së: Gert Jan Koopman, Drejtor i Përgjithshëm i DG NEAR; Salla Saastamoinen, Drejtoreshë në detyrë e Përgjithshme në OLAF; Irena Moozová, Zëvendësdrejtoreshë e Përgjithshme e DG JUST; Marko Makovec, Shef i Kabinetit të Komisioneres për Zgjerimin Marta Kos dhe Alexander Winterstein, Shef i Kabinetit të Komisionerit për Punët e Brendshme dhe Migracionin, Magnus Brunner.
Vizita dëshmon për arritjet e SPAK-ut në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Të gjithë bashkëbiseduesit vlerësuan forcën, qëndrueshmërinë dhe besueshmërinë e SPAK-ut, si dhe bashkëpunimin e tij të ngushtë me agjencitë e BE-së, vendet anëtare dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.”, thuhet në njoftim.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, u shpreh se BE-ja ka qenë dhe do mbetet mbështetëse e fortë e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai thekson se është thelbësore që SPAK të vijojë me rezultate solide, edhe pas zgjedhjeve së kreut të ri.
“BE-ja ka qenë dhe do të mbetet një mbështetëse e fortë e SPAK-ut në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit të nivelit të lartë dhe mashtrimit, si dhe në mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Ruajtja e rezultateve solide të SPAK-ut edhe nën drejtimin e tij të ri në vitin 2026 e më tej do të jetë kyçe për vazhdimin e progresit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Kjo është e rëndësishme për sigurinë e Shqipërisë dhe të BE-së dhe për forcimin e sundimit të ligjit. SPAK-u nuk mund ta bëjë këtë i vetëm. Edhe institucionet e tjera shqiptare duhet të bëjnë pjesën e tyre.”, tha ai/abcnews.al

