Jo vetëm Tirana e “bllokuar” nga trafiku, probleme edhe në qytetet evropiane, ja çfarë masash po merren
Një realitet i ri po formohet në Europë, ku gjithnjë e më shumë vende po zbatojnë masa për të ulur trafikun e rënduar.
Bllokimet rrugore nuk janë një fenomen vetëm në Tiranë, pasi pothuajse të gjitha qytetet e mëdha europiane kërkojnë mënyra për të çliruar rrugët, sidomos gjatë orëve të pikut.
Një nga shtyllat kryesore të kësaj strategjie është promovimi i carpooling, pra përdorimi i makinës nga më shumë se një pasagjer, gjë që ul numrin total të automjeteve, trafikun dhe emetimet ndotëse.
Kjo politikë e re nuk është rastësi sipas studimeve, në orët e pikut 85% e makinave kanë vetëm drejtuesin. Në këtë kuadër futet edhe masa më e fundit e Spanjës, e cila ka hapur shumë debat.
Që nga fillimi i vitit 2026, në Spanjë do të funksionojë radari i parë i tipit “radar i zi”, i quajtur kështu për shkak të ngjyrës. Qëllimi i tij është i qartë: do të identifikojë makinat ku udhëton vetëm drejtuesi, në korsitë ku lejohet qarkullimi vetëm për automjete me të paktën dy persona.
Policia rrugore spanjolle ka investuar në një gjeneratë të re kamerash me inteligjencë artificiale, të afta të analizojnë mbi një mijë automjete në orë me saktësi 95%.
Ato kapin automatikisht edhe raste mashtrimi, si përdorimi i kukullave apo kafshëve shtëpiake për të simuluar pasagjerë.
Pajisjet furnizohen me panele diellore dhe dërgojnë gjobat automatikisht. Shkelja do të kushtojë 200 euro, pa përjashtim, madje as për makinat me emetime zero.
Spanja po shqyrton edhe përdorimin e radarëve të zinj në Zonat me Ndikim të Ulët Ndotjeje, duke e lidhur aksesin jo vetëm me etiketat mjedisore, por edhe me numrin e pasagjerëve. Shenja e re S-51b është vendosur tashmë në disa zona dhe tregon qartë kufizimin “2+”.
Spanja nuk është e para që ndjek këtë qasje. Franca ka aktivizuar sistemin e saj që në mars, në rrugët rreth Parisit. Aty, korsia e majtë gjatë orëve të pikut është vetëm për makinat me të paktën dy persona, ndërsa lejohen gjithashtu taksitë, autobusët, automjetet për persona me aftësi të kufizuara dhe motorët me dy pasagjerë ose ata që lëvizin mes makinave.
Për zbatimin e masës, policia franceze përdor radarët e saj të zinj, të prodhuar nga kompanitë Fareco dhe Pryntec. Këto pajisje kanë sensorë termikë dhe inteligjencë artificiale që analizon siluetat brenda kabinës, dhe autoritetet thonë se “nuk mashtrohen”.
Rezultatet ishin të menjëhershme, në vetëm 20 ditët e para të funksionimit të 10 radarëve të parë në periferi të Parisit, u regjistruan mbi 4.400 shkelje.
Të dhënat tregojnë se presioni ndaj drejtuesve që udhëtojnë vetëm do të rritet ndjeshëm në vitet e ardhshme, pasi gjithnjë e më shumë shtete të BE-së po lidhin të drejtën e qarkullimit me numrin e pasagjerëve dhe jo vetëm me nivelin e ndotjes së automjetit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb