VIDEO/ Zjarri në rrokaqiejt e Hong Kongut: Kishte problem sistemi i alarmit!
Shefi i Shërbimit të Zjarrfikësve në Hong Kong pranoi se sistemet e alarmit kundër zjarrit kishin pasur probleme, pas tragjedisë në kompleksin e rrokaqiejve ku humbën jetën të paktën 128 persona dhe rreth 200 të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Zjarri në këtë kompleks shumëkatësh konsiderohet si një nga fatkeqësitë më të mëdha në qytet gjatë tetë dekadave të fundit, duke shkaktuar zemërim të madh në publik.
Në një zhvillim tjetër, edhe tetë persona të tjerë u arrestuan në lidhje me punimet e rinovimit të ndërtesave, sipas Agjencisë kundër Korrupsionit të Hong Kongut.
Komisioni i Pavarur Kundër Korrupsionit njoftoi se shtatë burra dhe një grua, të moshës 40 deri në 63 vjeç, mes tyre nënkontraktorë të skelave, drejtues të një kompanie konsulente inxhinierike dhe menaxherë projektesh që mbikëqyrnin rinovimin, u arrestuan.
Agjencia shtoi se kishte kryer kontrolle në zyrat e tyre, duke sekuestruar dokumente dhe regjistra bankare.
Hetimet për korrupsion të mundshëm lidhur me projektin e rinovimit kishin nisur një ditë më pare.
Arrestimet u njoftuan pasi zjarrfikësit gjetën dhjetëra trupa të tjerë të premten, duke e çuar numrin e viktimave në 128, ndërsa shumë persona ende figurojnë të zhdukur.
Policia kishte njoftuar më herët se tre zyrtarë të kompanisë ndërtuese ishin arrestuar.
Përveç faktit që kullat ishin të mbuluara me rrjeta dhe fletë plastike mbrojtëse që mund të mos përputheshin me standardet e sigurisë nga zjarri, policia tha më herët se disa dritare të një godine të pa prekur nga flakët ishin vulosur me material shkumor të instaluar nga kompania që kryente punimet e mirëmbajtjes.
“Ne kemi arsye të besojmë se përgjegjësit e kompanisë kanë treguar neglizhencë të rëndë, e cila çoi në këtë aksident dhe mundësoi përhapjen e pakontrolluar të zjarrit, duke shkaktuar një numër të madh viktimash,” deklaroi Eileen Chung, drejtoreshë në Policinë e Hong Kongut.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb