VIDEO/ Lezhë, çahet argjinatura mbrojtëse në zonën e Vainit, përmbyten toka bujqësore, hidrovori jashtë pune
Probleme serioze janë shfaqur mbrëmjen e djeshme në zonën e Vainit, ku një çarje rreth 40 metra e argjinaturës mbrojtëse në pjesën jugore të lagunës ka shkaktuar përmbytje dhe prurje të ujit të kripur drejt kanaleve bujqësore.
Gjatë gjithë natës, ekipet në terren kanë punuar për të bllokuar çarjen, duke hedhur inerte me 12 kamionë – 2 të Forcave të Armatosura, 10 të bashkisë dhe subjekteve private. Pavarësisht ndërhyrjes, situata mbetet e rënduar, pasi uji i kripur i lagunës vazhdon të derdhet në kanalin e Hidrovorit të Tales, duke ndryshuar rrjedhjen natyrore të tij nga perëndimi drejt lindjes dhe duke shkaktuar përmbytje në tokat bujqësore të zonave depresive.
Aktualisht, Hidrovori i Tales është jashtë funksionit, ndërsa hidrovorët e tjerë raportohen se po punojnë normalisht. Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb