Rama: BE, i vetmi vend për ne/ Kryeministri: Aty gjejmë vlerat për të cilat kemi luftuar
“Shqipëria i përket Europës”. Në një intervistë për Euronews, kryeministri Edi Rama e ka cilësuar “një perandori të mirë” Bashkimin Europian, ndërsa thotë se kjo është e vetmja rrugë për qytetarët shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve mbështesin integrimin në union.
“Ne e shohim si të vetmin vend ku duam të jemi, sepse është vendi i vetëm ku do të jenë të garantuara disa gjëra për të cilat kemi luftuar. E kam fjalën për lirinë, e kam fjalën për barazinë para ligjit, e kam fjalën për demokracinë, në përgjithësi. Sipas këndvështrimit tim, me shumë modesti, do thoja se nuk është se Europa ka humbur diçka, por Europa duhet të fitojë diçka”, thotë Rama.
Dhe rruga për në Europë do të kalojë pikërisht nga Roma. Shefi i qeverisë rikonsideroi edhe një herë marrëdhënien speciale mes Shqipërisë dhe Italisë, dhe Giorgia Meloni-n si aleaten më të fortë të anëtarësimit të vendit tonë.
“Më duhet të them se kur bëhet fjalë për Italinë, ka diçka shumë të veçantë midis Shqipërisë dhe Italisë, në përgjithësi dhe të gjithë kryeministrat italianë, pavarësisht partisë apo ngjyrave politike të qeverisë, janë treguar shumë të mirë me ne. Me Giorgian ka një kimi mjaft të veçantë, nuk e fsheh dot, sepse është shumë e dukshme apo jo? Përtej kësaj, megjithatë, ajo është një njeri që priret më shumë të bëjë sesa të flasë, çka, më duhet të them, nuk është tipike italiane, por ajo është e tillë”, u shpreh kryeministri.
Rama thotë se këtë e konfirmon edhe partneriteti mes dy vendeve, ndërsa mohon që marrëveshja për emigrantët me Italinë të jetë firmosur për qëllime përfitimi.“Jo, nuk ka asnjë marrëdhënie pazari midis nesh dhe Italisë, sepse Italia ka bërë shumë për ne, pa kërkuar asgjë në këmbim. Nuk do ta harroj kurrë ditën kur ishim keq, pasi na kishte goditur një tërmet shumë i fortë dhe të parët që na erdhën në ndihmë ishin zjarrfikësit italianë, të cilët hynë në rrënoja për t’i shpëtuar jetën njerëzve që nuk i njihnin, në një vend ku kishin vënë këmbë për herë të parë dhe e bënë si heronj. Kjo është diçka që tregon e thotë shumë”, thotë ai.
Javën e kaluar Shqipëria dhe Italia mbajtën mbledhjen e parë ndërqeveritare në Romë, e cila prodhoi 15 marrëveshje në fusha të rëndësishme si energjia, mbrojtja, shëndetësia etj…
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!