Platini sulmon Infantinon: I pëlqejnë të pasurit dhe të fuqishmit, është bërë autokrat
16 Janar 2026
13:25
Alfred Lleshi
Michel Platini ka përdorur fjalë të ashpra ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, në një intervistë për “The Guardian”. Ish-presidenti i UEFA-s, nënkryetar i të cilit ishte Infantino nga 2009 deri më 2015, u shpreh: “Ishte një numër dy i mirë, por nuk është një numër një i mirë”. Platini shtoi: “Ai punoi shumë mirë në UEFA, por ka një problem; i pëlqejnë të pasurit dhe të fuqishmit, ata që kanë para. Ky është karakteri i tij. Ishte kështu edhe kur ishte numër dy, por atëherë nuk ishte shefi”.
Më tej, Platini deklaroi: “Fatkeqësisht, Infantino është bërë edhe më autokrat pas pandemisë”. Duke krahasuar me epokën e Sepp Blatter, ai tha: “Ka më pak demokraci se në kohën e Blatter. Mund të thuhet çfarë të duash për të, por problemi i tij kryesor ishte se donte të qëndronte në FIFA përjetë. Ai ishte një person i mirë për futbollin”.
Sipas Platini, administratorët e sotëm “thjesht bëjnë punën e tyre” dhe shumë prej tyre nuk interesohen realisht për sportin. Kujtojmë se Platini prej vitesh është kritik i fortë i Infantinos, të cilin e akuzon se i ka penguar kandidaturën për presidencën e FIFA-s.