“Edi Rama po pengon drejtësinë”, Belind Këlliçi: Arresti për Ballukun mbahet pezull prej një muaji
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, i ftuar në studion e News24, ka komentuar zhvillimet e fundit në drejtësi, duke u ndalur te puna e SPAK dhe qëndrimi i mazhorancës ndaj hetimeve.
Këlliçi theksoi se Partia Demokratike mbështet plotësisht drejtësinë dhe kërkon që hetimet të zhvillohen me ritme të shpejta, pasi sipas tij dëmi ndaj financave publike po vijon çdo ditë. “PD mbështet drejtësinë dhe kërkon që hetimet të ecin me shpejtësi, sepse paratë po vidhen çdo ditë”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat akuzoi mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama se po pengon qëllimisht veprimet e drejtësisë, duke refuzuar prej rreth një muaji mbledhjen të Këshillit të Mandateve. Sipas Këlliçit, kjo po bëhet për të bllokuar ekzekutimin e arrestimit ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar masa ligjore.
Ai rikujtoi edhe deklaratat e mëparshme të kryeministrit Edi Rama, i cili sipas tij ka pretenduar se qeveria nuk pengon drejtësinë. “Është i njëjti kryeministër që ka thënë se sa herë ka kërkesë nga organi i akuzës, ne i përgjigjemi dhe nuk e pengojmë drejtësinë, ndërsa sot po e mban peng prej një muaji largimin e Ballukut”, deklaroi Këlliçi.
Sipas deputetit të PD-së, kjo situatë tregon një standard të dyfishtë të mazhorancës dhe përbën një pengesë serioze për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besimin e qytetarëve te drejtësia.
© BalkanWeb