Dashnor Sula zbulon episodin: Kur Berisha “më preu kokën” para zgjedhjeve, pata ofertë nga njerëz të PS
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula, ka vijuar reagimin e tji në News24, duke thelluar sqarimet pas aludimeve për emërime apo afrime të tij me mazhorancën. Sula theksoi se gjatë gjithë kohës që i ka shërbyer PD-së nuk ka përfituar asnjë favor personal.
“Deri ditën e fundit që i kam shërbyer PD nuk kam marrë asnjë favor”, deklaroi ai, duke shtuar se ndër vite ka pasur oferta konkrete nga ish-kolegë të majtë, të cilat i ka refuzuar. Sipas Sulës, atij i janë ofruar pozicione të ndryshme drejtuese, si drejtor drejtorie, drejtor juridik dhe funksione të tjera në administratë, por përgjigjja e tij ka qenë gjithmonë negative.
Ish-deputeti zbuloi se edhe pas përplasjes me kryedemokratin Sali Berisha, kur sipas tij u përjashtua nga Partia Demokratike, ka pasur tentativa për ta afruar në radhët e forcave të tjera politike. “Në momentin që Berisha më preu kokë e këmbë, kam pasur ofertë nga ‘Shqipëria Bëhet’ dhe nga njerëz të PS për të qenë pjesë aty, por kam thënë absolutisht jo”, u shpreh ai.
Sula theksoi se interesimi për të nuk ka ardhur vetëm nga një krah politik, por nga pothuajse të gjitha forcat, me përjashtim të Agron Shehajt. “Të gjitha forcat e tjera politike më kanë kërkuar, që do të thotë se kam një farë vlere për ata njerëz”, deklaroi ish-deputeti.
Në vijim, ai nënvizoi kontributin e tij elektoral brenda Partisë Demokratike, duke kujtuar se në zonat ku ai ishte aktiv, PD ka qenë forcë fituese. “Kur isha unë me PD, PD ishte fituese në Peqin dhe në ato zona”, përfundoi Dashnor Sula.
© BalkanWeb