“Votat e mia u vodhën”/ Kalaja për hetimin e KAS: SPAK nuk donte të hetonte, GJKKO i caktoi 7 detyra
GJKKO vendosi këtë të enjte, 20 nëntor, hapjen e hetimeve ndaj Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), pas kallëzimit të kandidatit të Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, i cili akuzon institucionin për shpërdorim detyre.
Kalaja pretendon se gjatë procesit të zgjedhjeve të 11 majit votat e tij janë manipuluar dhe se rinumërimi i pjesshëm ka zbuluar parregullsi që ndikuan deri në lëvizjen e mandateve.
Në një intervistë për “Real Story” në ABC News, ai deklaroi se vendimi i GJKKO-së konfirmon se nuk bëhet fjalë për “gabim njerëzor”, por për dyshime për “krim zgjedhor”, ndërsa tashmë SPAK është i detyruar të zhvillojë hetime të thelluara, përfshirë edhe marrjen e pamjeve audio e video të procesit të numërimit.
“Për këtë proces unë kam vënë në lëvizje Gjykata Kushtetuese sepse vë në dukje pa rregullsi në procesin ligjor. Kam nisur një betejë administrative për KAS, e cila nuk më kërkoi mua për të numëruar votat e mira. Për këtë kam bërë kallëzimin, për arsye se ata kanë shkelur ligjin në disa momente dhe këtë e thotë edhe GJKKO.
Në rinumërimin e pjesshëm mua më kishin vjedhur disa vota. Nga procesi i rinumërimit lëvizi mandat në qarkun e Fierit. E gjithë retorika, narrativa e KAS ishte se ishte gabim njerëzor dhe jo krim zgjedhor. SPAK refuzoi dy herë që të hetonte zgjedhjet. Gjykata e vendosi që nuk ishte gabim njerëzor, por krim zgjedhor.
SPAK nuk e hetoi çështje, nuk kishte vullnet për të hetuar çështjet zgjedhore. Hera e parë që do të hetohet për krim zgjedhor. Gjykata e ka detyruar SPAK të hetojë për dy vepra, krim i organizuar dhe krim zgjedhor. Gjykata tha se këtu ka krim me zgjedhjet, dhe i ka caktuar prokurorisë 7 detyra për hetim për zgjedhjet. Kërkohet të hapen kamerat me audio dhe video, gjatë numërimit të votave”, tha Aulon Kalaja.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

