Kritikat ndaj qeverisë Merz, Auron Dodi: Temë e nxehtë, ekonomia dhe kostot shtesë të pagave
Në Gjermani, kritikat ndaj punës së qeverisë së kancelarit Merzit janë ashpërsuar, së fundi në debatin për buxhetin këtë javë në Bundestag. Një pjesë e konsiderueshme e gjermanëve janë skeptikë për të ardhmen e qeverisë.
Analisti Auron Dodi nga DW, në një lidhje online në News24 u shpreh se kritika ka të bëjë me premtimet e pa përmbushura për reforma.
Sipas tij nuk janë përmbushur deklaratat që Gjermania do të bëhej një vend tjetër, maksimumi deri në vjeshtë.
Intervista:
News24: Auron, përshëndetje. Pakënaqësia dhe kritikat ndaj punës së qeverisë Merz vazhdojnë. A është vërtet kaq e dobët puna e qeverisë?
Auron Dodi: Puna e qeverisë nuk është e dobët. Ekipi me kancelarin Merz ka arritur gjëra të konsiderueshme, në një kohë të shkurtër – brenda gjashtë muajsh, që kur mori pushtetin. Megjithatë, ekonomisë dhe shumë qytetarëve kjo nuk u mjafton.
Ka një perceptim se ato që janë shpallur deri tani si reforma të mëdha, përfundojnë në korrigjime të vogla, për shkak të kompromiseve mes partive në qeveri. Ekziston edhe një ndjesi se shpenzohet energji për të kënaqur elektoratin e partive në pushtet, por mungon vrulli për reforma. Dy të tretat e gjermanëve janë të pakënaqur me koalicionin qeverisës. Kjo është një rritje 20 përqind që nga qershori. Në të njëjtën kohë, partia ultra e djathtë AfD ka shtuar mbështetjen dhe arrin rreth 25%, në sondazhet kombëtare.
News24: Si erdhi deri te kjo situatë? Me Friedrich Merzin janë lidhur shumë shpresa, ai shihet si shans i fundit për partitë e qendrës?
Auron Dodi: Po, është e vërtetë. Përballemi me një kombinim nevojash akute të vendit dhe padurimi te njerëzit.
Lidhur me kancelarin Friedrich Merz, tregim pozitiv për të brenda Gjermanisë është se migrimi ka rënë, kanë rënë edhe çmimet e energjisë për sipërmarrjet; po bien edhe taksat për sipërmarrjet.
Për sa i përket ndikimit jashtë vendit, Merz-i ka demonstruar në botë një besim të ri te Gjermanisë te vetja. Kjo ka ndikuar në formësimin më të mirë të reagimit të BE ndaj luftës në Ukrainë dhe tarifave tregtare të SHBA. Gazeta Frankfurter Allgemeine Zeitung kujtoi së fundi se ishte Merz-i që i dha fund diskutimit ndërkombëtar për shpenzimet ushtarake të Gjermanisë dhe parandaloi kështu erozionin e NATO-s.
News24: Në fakt, ishte Friedrich Merz-i që kapërceu qëndrimin e partisë së tij kundër rritjes së borxheve për investime, një hap i madh për CDU-në konservatore, nuk vlerësohet kjo?
Auron Dodi: E saktë. Merz-i kapërceu rezervat e partisë së tij ndaj borxheve publike. Sapo erdhi në pushtet zhvilloi një plan shpenzimesh ekonomike, të cilin Gjermania nuk e kishte parë që nga ribashkimi. Së fundi këtë javë ishte Fondi Monetar Ndërkombëtar, që e lavdëroi punën e tij prej pionieri për anashkalimin e kufizimeve kushtetuese mbi huamarrjen. Këto ndryshime tani lejojnë financimin e investimeve të mëdha në infrastrukturë dhe mbrojtje.
Njëkohësisht, FMN-ja u kujtoi shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, të cilat marrjen e borxheve e kanë metodën e preferuar: Gjermania është në gjendje t’i përballojë huatë që mori. Parashikohet, tha FMN, që “borxhi (i Gjermanisë) të rritet në rreth 68% të PBB-së në vitin 2027 – që është ende niveli më i ulët midis ekonomive të G7-ës”.
FMN-ja shtoi megjithatë se sfida tani është që këto fonde të investohen me mençuri, të mos përdoren për dhurata elektorale afatshkurtra.
News24: Për se ndizet atëherë kritika në Gjermani?
Auron Dodi: Në tërësi kritika ka të bëjë me premtimet e papërmbushura për reforma. Nuk janë përmbushur as deklaratat që Gjermania do të bëhej një vend tjetër, së voni deri në vjeshtë, me reformat. Presidenti i Shoqatës së Punëdhënësve Gjermanë, Rainer Dulger, tha se “ne i shohim përpjekjet, por deri tani nuk kemi parë asnjë ndryshim ekonomik”. Gazeta e përditshme “Die Ëelt” paralajmëroi për rrezikun e një “rruge franceze”: ku bëhen deklarata të forta, merret borxh i lartë publik, por nuk ndërmerren reforma të thella. Ky është një model që mund të çojë në “pamundësi qeverisjeje”, si në Francë, paralajmëroi gazeta konservatore “Die Ëelt”.
News24: Cilat janë debatet më të nxehta aktualisht në Gjermani? Cilat janë çështjet kryesore?
Auron Dodi: E para është ekonomia, prej dy vitesh në stanjacion. Ekonomistët kërkojnë më pak burokraci. Ata thonë se një reduktim i qëndrueshëm i burokracisë do ta bënte Gjermaninë më të shpejtë dhe më konkurruese. Po të mos përmirësohen kushtet kuadër në Gjermani, droja është se kompanitë do ta zhvendosin gjithnjë e më shumë jashtë Gjermanisë prodhimin. Kjo do ta dobësonte më tej Gjermaninë si qendër industriale.
Një pikë tjetër kyçe janë kostot shtesë të pagave: kërkesa është që kontributet e sigurimeve shoqërore të reduktohen në 40% të pagave bruto. Rainer Dulger i tha gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung se pjesa e lartë e shtetit në ekonomi prej “49.5%” është një shkak shqetësimi”. Ai kujtoi se “sipas Helmut Kohlit, socializmi fillon te 50%,” një kufi që Gjermania nuk duhet ta kapërcejë. Natyrisht kjo shpjegohet edhe me modelin e ekonomisë sociale të tregut, të cilin Gjermania e përqafoi pas Luftës së Dytë Botërore dhe që ka sjellë kohezion të dukshëm social në Gjermani.
News24: Po temë tjetër debati?
Auron Dodi: Debat i madh bëhet edhe për pensionet. Zhvillimi demografik është problem për Gjermaninë, për shkak të plakjes së popullatës. Mosha mesatare është gati 45 vjeç (44,9). Dhe deri në vitin 2035, një në tri gjermanë do të dalin në pension. Kjo shtron çështjen e financimit të grupit të madh të pensionistëve.
Marrëveshja për formimin e qeverisë aktuale me socialdemokratët ka fiksuar kuotën 48% të pensionit përballë pagës së fundit. Por, me gjithnjë e më shumë pensionistë, brezit të ri i takon të paguajë gjithnjë e më shumë. Për këtë u ngrit në protestë organizata e rinisë së CDU-së, e përfaqësuar me deputetë në Bundestag. 18 deputetët e saj kanë fuqi bllokuese, sepse qeveria Merz ka një shumicë prej vetëm 13 deputetësh në Bundestag.
News24: A është frenuese për fituesen e zgjedhjeve parlamentare, CDU/CSU-në, një qeverisje së bashku me socialdemokratët?
Auron Dodi: Çështja nuk është partia socialdemokrate, SPD, si parti, parti e qendrës së majtë. Fërkim sjellin përmbajtjet që ka zgjedhur të mbrojë ajo, për elektoratin e saj. SPD favorizon programe stimuluese ekonomike. Është distancuar nga trashëgimia reformiste e kancelarit Gerhard Schröder. Ky konstelacion i bën të vështira ndryshimet e thella.
Shembulli i “kompensimit për qytetarin”, që është ndihmë për të papunët dhe për njerëz me të ardhura shumë të ulëta, ilustron konfliktet: Merzi kërkoi një rishikim të kompensimit për qytetarin, për të nxitur kërkimin e punës nga përfituesit. SPD-ja iu kundërvu ndryshimeve të thella.
Kompromisi tani parashikon thjesht uljen e përfitimeve për ata që refuzojnë ofertat e punës. Dhe ekspertët thonë se kjo nuk mund të sjellë miliardat e kursimeve, që u premtuan fillimisht nga CDU-ja.
News24: A mund të jetë një qeveri minoriteti zgjidhja, nëse reformat nuk mund të realizohen me SPD-në?
Auron Dodi: Shumë janë kundër një qeverie minoriteti, një qeverie ku CDU/CSU-ja të tolerohej nga partitë e tjera. Një qeveri minoriteti pa SPD-në do të ishte vazhdimisht e varur nga vullneti i mirë i partisë ultra të djathtë AfD, paralajmërojnë ekspertët e politikës dhe ekonomisë.
Për më tepër, pa një shumicë parlamentare qeveria nuk do të ishte në gjendje ta reformonte vendin. Pavarësisht të gjitha vështirësive, koalicioni aktual duket opsion i mirë. Disa ekonomistë shohin potencial për reforma tek socialdemokratët. Por për këtë nevojitet punë më e madhe bindëse edhe nga sipërmarrësit.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb