“Gerond Meçe nuk e ndante mirë pjesën, aty hyri Ergys Agasi”, Dervishi zbulon dinamikat kriminale te AKSHI: U krijua një shtet paralel, janë futur te TIMS, Hipoteka e Tatimet
Gazetari Ferdinand Dervishi, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur në lidhje me dosjen e AKSHI-t dhe hetimet e SPAK mbi këtë institucion, duke ngritur akuza të forta për abuzime masive financiare, lidhje klienteliste dhe rrezik serioz për sigurinë e të dhënave shtetërore.
Sipas Dervishit, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka funksionuar prej vitesh si një strukturë e kontrolluar nga rrethi familjar dhe njerëz të afërt me kryeministrin. “AKSHI ishte kopshti i prapmë i familjes Rama. Aty ishte baxhanaku i Ramës”, deklaroi gazetari.
Ai përmendi emrin e biznesmenit Gerond Meçe, për të cilin sipas tij thuhet se nuk “e ndante mirë pjesën”, çka solli ndërhyrjen e Ergys Agasit. “Vjen Ergys Agasi dhe thotë: e ndaj unë mirë pjesën, madje e dyfishoj tenderin. Kështu ka funksionuar AKSHI”, u shpreh Dervishi.
Gazetari theksoi se nga viti 2019 deri në vitin 2025, AKSHI ka shpërndarë tendera në vlerën mbi 700 milionë euro, ndërsa programi i planifikuar për vitin 2026 e çon këtë shifër mbi 750 milionë euro. “Kjo është dyfishi i abuzimeve të pretenduara me inceneratorët”, tha Dervishi, duke shtuar se fitimi nga këta tendera ka qenë rreth 50 për qind. “Nëse merr një tender 10 milionë euro, gjysma janë fitim. Nga 700 milionë euro, rreth 350 milionë janë fitime”, theksoi ai.
Sipas Dervishit, menaxhimi i këtyre fondeve është bërë së fundmi nga Ergys Agasi, i cili, sipas deklaratave, kishte premtuar shpërndarje më të madhe përfitimesh krahasuar me paraardhësit.
Në vijim, gazetari ngriti shqetësime serioze për lidhjet mes dosjes së AKSHI-t dhe skandaleve të mëparshme të sigurisë së të dhënave, përfshirë sistemin TIMS. Ai përmendi emrin e Ervina Gjanës, drejtoreshë e hetimit kibernetik, si dhe një person tjetër që dyshohet se ka marrë pjesë në vjedhjen e të dhënave disa vite më parë. “Këta dy persona dalin edhe te dosja e AKSHI-t, çka tregon se të njëjtët njerëz mund të kenë dorë në disa skandale”, tha Dervishi, duke shtuar se Agasi mund të jetë i përfshirë edhe në goditjen ndaj AKSHI-t.
Dervishi foli edhe për Ermal Beqirin, i cili sipas tij ishte shef i personit të arrestuar për çështjen e TIMS dhe rezulton të jetë një nga përfituesit kryesorë të tenderave të AKSHI-t. Ai theksoi se i njëjti person ka lidhje edhe me individin që u fut nga jashtë strukturave shtetërore dhe u emërua drejtor i Departamentit IT në Policinë e Shtetit.
“Ky është një cirk që ndodh vetëm në republika bananesh”, u shpreh gazetari, duke shtuar se i njëjti rrjet personash del i përfshirë jo vetëm në çështjen e TIMS, por edhe në hetime për vjedhje databazash në Hipotekë dhe Tatime.
Në përfundim, Dervishi paralajmëroi për ekzistencën e një “shteti paralel”, ku një grup i kufizuar individësh ka akses në shumicën e informacionit sensitiv të shtetit. “Këta njerëz kanë grumbulluar të dhënat më sensitive të shtetit dhe, përveç shtetit, edhe një grup kriminal i strukturuar. Aty mund të fshihen, ndryshohen apo manipulohen të dhëna”, përfundoi ai, duke e cilësuar situatën si një rrezik madhor për sigurinë kombëtare.
© BalkanWeb