Dita kur Xabi Alonso shpërtheu: Nuk e dija që po vija të stërvitja në një çerdhe…
17 Janar 2026
8:32
Alfred Lleshi
Largimi i Xabi Alonsos nga Real Madrid nuk shpjegohet vetëm nga shkarkimi në janar. Fundi i tij nisi të shkruhej javë përpara, me marrëdhënie gjithnjë e më të tensionuara me dhomën e zhveshjes, sipas “Marca”. Sipas gazetës madrilene, ambienti u tensionua që nga fillimi i nëntorit, kur “divorci” i brendshëm ishte evident dhe jeta e përditshme në “Valdebebas” e bëri konfliktin të pandalshëm.
Shkëndija erdhi gjatë një stërvitjeje. Jo një kritkë e zakonshme, por një shpërthim. “Nuk e dija që po vija të stërvitja në një çerdhe” (domethënë, se po stërviste fëmijë), thuhet se shpërtheu trajneri ndaj lojtarëve, frazë që hapi plagë të pashërueshme. Lojtarët e konsideronin stërvitjen “të lodhshme” për ngarkesën taktike, volumin e informacionit dhe kontrollin konstant mbi detajet. Kritika që përfshinin edhe ndihmësin e tij, Sebas Parrilla.
Xabi Alonso ndjente se nuk kishte kohë për të aplikuar idetë e tij. Botërori i Klubeve dhe kthimi i shpejtë në garë, pa një para-sezon të vërtetë, e detyruan ta shtynte ritmin me punë dhe përsëritje, ndërsa dhoma e zhveshjes e ndjente këtë si të tepërt. “Marca” tregon se filloi të qarkullonte emri i Arbeloa si alternativë, duke izoluar figurën e Xabi Alonso. Kriza e rezultateve vetëm nxiti fundin. Superkupa ishte “derdhja e gotës”, por gjithçka kishte nisur nga ajo stërvitje. Shkarkimi i Alonso tregoi se thyerja ishte reale, pa kthim pas.