Nga debutimi kundër Portugalisë te brezi i ri, rrëfehet Taulant Xhaka: Fanella kuqezi, nder dhe krenari
17 Janar 2026
14:31
Alfred Lleshi
Një rrëfim i sinqertë i Taulant Xhakës për lidhjen e tij emocionale me fanellën kuqezi, debutimin e paharruar dhe përgjegjësinë në fushë. Ai flet për sakrificat, momentet e vështira dhe krenarinë që i ka dhënë kombëtarja shqiptare. Njëkohësisht, jep vlerësimin për kombëtaren aktuale, tifozët dhe mesazhin para sfidave vendimtare të “play-off”-it në mars.
Taulant, kur e shikon sot fanellën kuqezi. Çfare ndjen realisht? Jo si futbollist, por si njeri…
Jam fans i Shqipërisë, i skuadrës. Nder dhe besoj që është fanella më e bukur në botë.
A ka debutim më të bukur se ai i yti, kundër Portugalisë me fitore? Si e kujton atë ndeshje, na i përshkruan dot emocionet?
Me shumë emocione, ka qenë debutimi im me Kombëtaren me fitore. Ka qenë si ëndërr, nuk e kam kuptuar shumë por pas fitores, e kam kuptuar dhe e gjithë familja ka qenë krenare me mua.
A ke një moment me Kombëtaren që nuk e ke treguar kurrë?
Jo nuk ka pasur momente specifike. Të lumtura kam pasur shumë, të trishtuara për ndeshjen kundër Serbisë.
Ti ke qenë gjithmonë një lojtar i karakterit të fortë. Çfarë sakrifice personale ke bërë për Kombëtaren që pak e dinë?
S’kam bërë sakrifica të mëdha, por gjithmonë kam dhënë maksimumin. Do të kisha vdekur për këtë fanellë.
Çfarë do të thotë për ty të mbash peshën e përgjegjësisë në fushë, sidomos në ndeshje vendimtare?
Normal që ke përgjegjësi shumë, duhet të jesh lider dhe duhet t’i mbash lojtarët e rinj afër vetes.
Si e sheh Kombëtaren sot, krahasuar me vitet kur ti ishe pjesë aktive e saj?
Ka ecur shumë përpara. Janë lojtarë shumë të rinj, me shumë talent. Është shumë më mirë tani se përpara.
A shikon ndonjë lojtar të Kombëtares aktuale që ju ngjan juve?
Qazim Laçi. Ka edhe numrin tim, 14, siç e kam pasur unë kur kam qenë pjesë e kombëtares.
A mendon se ky grup ka mentalitetin e duhur për të përballuar presionin e “play off”-eve?
Po, absolutisht. Çdo lojtar kuqezi luan në klubin e tij, kanë kualitet. Besoj që mund t’ia dalin.
Sa e rëndësishme është mbështetja e tifozëve shqiptarë në momente kyçe dhe çfare mesazhi ke për ta sot?
Tifozët janë shumë të rëndësishëm, na kanë përkrahur gjithmonë. Janë lojtari i 12-të për ne.
Një fjali për Shqipërinë dhe fanellën kuqezi…
Është nder dhe krenari.
Nëse sot do ishe në dhomën e zhveshjes para ndeshjes së parë kundër Polonisë në “play-off”, çfarë do t’i thoje ekipit?
Jepni maksimumin. Luani si gjithmonë me zemër dhe fitorja vjen automatikisht.