SHBA kërcënoi disa vende të BE me tarifa të reja, reagojnë liderët evropianë: Evropa do të përgjigjet e bashkuar
Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri britanik Keir Starmer kanë reaguar pas deklaratave të ish-presidentit amerikan Donald Trump, i cili paralajmëroi vendosjen e tarifave ndaj disa vendeve evropiane për shkak të çështjes së Groenlandës.
Në një postim në rrjetet sociale, Macron theksoi se Franca është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, si në Evropë ashtu edhe më gjerë.
“Ky parim udhëheq zgjedhjet tona. Ai forcon lidhjen tonë me Kombet e Bashkuara dhe me Kartën e OKB-së,” u shpreh Macron.
Ai shtoi se mbi këtë bazë Franca mbështet dhe do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, si dhe ka vendosur t’i bashkohet stërvitjes së udhëhequr nga Danimarka në Grenlandë.
“Ne e mbështesim këtë vendim, veçanërisht sepse lidhet me sigurinë në Arktik dhe në kufijtë e Evropës sonë,” deklaroi presidenti francez.
Nga ana tjetër, kryeministri britanik Sir Keir Starmer reagoi pasi Donald Trump shpjegoi planet për vendosjen e tarifave ndaj tetë vendeve evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar.
“Pozicioni ynë për Grenlandën është shumë i qartë – ajo është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës dhe e ardhmja e saj është çështje e groenlandezëve dhe danezëve,” tha Starmer.
Ai theksoi gjithashtu se siguria në Arktik është një çështje me rëndësi për të gjithë NATO-n, duke shtuar se aleatët duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të adresuar kërcënimin rus në rajone të ndryshme të Arktikut.
Reagimi i Macron
Franca është e përkushtuar ndaj sovranitetit dhe pavarësisë së kombeve, në Evropë dhe kudo tjetër. Këto parime udhëheqin zgjedhjet tona. Ato janë baza e përkushtimit tonë ndaj Kombeve të Bashkuara dhe Kartës së tyre.
Në këtë frymë, ne e mbështesim dhe do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, si dhe kemi ndërtuar një koalicion vullnetarësh për një paqe të fortë dhe të qëndrueshme, për të mbrojtur këto parime dhe sigurinë tonë.
Po në këtë frymë kemi vendosur gjithashtu t’i bashkohemi stërvitjes së vendosur nga Danimarka në Groenlandë. E marrim këtë përgjegjësi, edhe sepse bëhet fjalë për sigurinë në Arktik dhe në skajet e Evropës sonë. Asnjë intimidim apo kërcënim nuk mund të na ndikojë, as në Ukrainë, as në Groenlandë, as kudo tjetër në botë, kur përballemi me situata të tilla.
Kërcënimet me tarifa janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në këtë kontekst. Evropianët do t’u përgjigjen atyre në mënyrë të bashkuar dhe të koordinuar nëse do të konfirmohen. Ne do të dimë të mbrojmë sovranitetin evropian. Në këtë frymë do të zhvilloj bisedime me partnerët tanë evropianë.
© BalkanWeb