Gjoni Palokaj triumfon në Düsseldorf, hap i madh drejt majës!
18 Janar 2026
1:00
Telesport
Gjoni Palokaj triumfon në Düsseldorf, hap i madh drejt majës së OKTAGON MMA.
Luftëtari shqiptar Gjoni Palokaj ka shënuar një fitore të madhe sonte në eventin e OKTAGON MMA, duke mposhtur britanikun James Hendin në duelën vendimtare të peshës featherweight, të zhvilluar në PSD Bank Dome në Düsseldorf, përpara rreth 20 mijë shikuesve.
Në një përballje shumë të fortë dhe të tensionuar, Palokaj konfirmoi edhe një herë formën e jashtëzakonshme, duke dominuar kundërshtarin me stilin e tij agresiv dhe vendosmërinë karakteristike. Me këtë sukses, ai regjistroi fitoren e tetë radhazi, duke e çuar bilancin e përgjithshëm në 14 fitore dhe 3 humbje.
Palokaj, me prejardhje nga Velezha e Prizrenit dhe i rritur në Gjermani, hyri në këtë duel si i renditur i gjashti në divizion, ndërsa Hendin ishte i shtati. Fitorja e sotme pritet ta ngjisë shqiptarin në Top 5 të kategorisë featherweight, duke e vendosur shumë pranë ndeshjeve për titull në OKTAGON MMA.
Kjo paraqitje e fuqishme e forcon edhe më shumë statusin e Gjonit, falë aftësisë për të mbyllur ndeshjet para kohe dhe kontrollit të lartë në çdo fazë të luftës.
Me këtë triumf, ëndrra e Palokajt për t’iu afruar një dite skenës së UFC-së duket më reale se kurrë, ndërsa tifozët shqiptarë kanë tashmë një tjetër emër për t’u krenuar në arenën ndërkombëtare të MMA-së.