Trump kërkon 1 miliard dollarë nga shtetet që duan të bëhen pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Çfarë përfshin propozimi
Një polemikë e re ndërkombëtare është shkaktuar pas një propozimi nga ana e administratës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump orëve të fundit.
Sipas planit të paraqitur në një projekt-statut për një organizatë të re ndërkombëtare që quhet ndryshe edhe si Bordi i Paqes, thuhet se vendet që duan një vend të përhershëm në të do të duhet të paguajnë të paktën 1 miliard dollarë kontribute financiare.
Sipas projektit, që citon Bloomberg, çdo vend anëtar do të ketë një mandat deri në tre vjet nëse nuk paguan 1 miliard dollarë brenda vitit të parë të funksionimit të Këshillit.
Ky mandat trevjeçar mund të rinovohet vetëm me miratimin e presidentit të organizatës – një rol që, sipas neneve të draftit, do ta ketë vetë Trump.
Sipas mediave ndërkombëtare, financimi i këtij institucioni të ri, i cili fillimisht lidhet me paqebërjen dhe rindërtimin në Gaza, mund të zgjerohet në zona të tjera konflikti.
Vetë emri dhe përmbajtja e kartës lënë hapësirë për një rol më të gjerë përtej Lindjes së Mesme, shkruajnë mediat e huaja.
Por ky veprim ka shkaktuar tashmë reagime të forta. Analistët kritikë theksojnë se propozimi i ngjan një përpjekjeje për të krijuar një organizatë të re ndërkombëtare, madje konkurruese me OKB-në, me një “biletë” të bazuar në kontributet financiare dhe një rol qendror për SHBA-në.
Pikat kryesore të propozimit
Çdo vend që kërkon anëtarësim të përhershëm do të duhet të paguajë të paktën 1 miliard dollarë financim brenda vitit të parë.
Pa atë kontribut, vendet do të kishin vetëm mandate trevjeçare dhe kjo do t’i nënshtrohej miratimit presidencial.
Trump pritet të luajë një rol kyç në përbërjen dhe funksionimin e këshillit, duke përfshirë miratimin e vulave dhe rregullave të funksionimit.
Vendet evropiane dhe pjesëmarrës të tjerë potencialë kanë marrë ftesa, por tashmë kanë nisur edhe polemikat mbi përmbajtjen ekonomike dhe politike të propozimit.
© BalkanWeb