Albautor shkel kufirin e shpenzimeve por nuk paguan krijuesit për të drejtën e autorit. Si e justifikon drejtori i agjencisë, Erion Muka dhe çfarë zbuloi Vetting
Emisioni investigativ Vetting
Dështimi me strategjinë 2022-2025 për të Drejtën e autorit
Në maj 2022, do të miratohej Vendimi i Këshillit të Ministrave për Strategjinë Kombëtare të Pronësisë Intelektuale, e cila sipas auditit do të miratohej me shumë vonesë dhe do të linte përsëri në rrëmujë kompetencat ligjore midis institucioneve.
Vetë strategjia e miratuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë zbulon se Shqipëria duhet të përshtasi ligjin për të drejtën e autorit me tri direktivat e Bashkimit Europian. E para është direktiva “Për përdorime të caktuara të lejuara të veprave pa autor”, e dyta direktiva “Mbi disa përdorime të lejuara të veprave të caktuara dhe fusha të tjera të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to në përfitim të personave të cilët me aftësi të kufizuara në leximin e materialeve të printuara” dhe e treta “Amendimi i Direktivës mbi afatin e mbrojtjes të të drejtave të autorit dhe disa të drejtave të lidhura me to”.
Nga gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulohet se strategjia ka patur mangësi që në krijimin e saj, duke ruajtur mbivendosjen e kompetencave ligjore, të cilat ruajnë gjendjen e kaosit në këtë sektor.
Auditi konstaton se Ministria e Kulturës nuk ka ngritur Bordin e Arbitrazhit, i cili sipas ligjit duhet krijuar për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve ndërmjet aktorëve të së drejtës së autorit. Drejtoria e të Drejtës së Autorit (DDA) justifikon mosveprimin duke deklaruar se kriteret ligjore e bëjnë këtë organ të pazbatueshëm, pasi ligji kërkon 20 arbitra me mbi 10 vite eksperiencë, por KLSH-ja e klasifikon rekomandimin si të pranuar, por të pazbatuar.
Raporti evidenton një krizë funksionale mes institucioneve të mandatuara me kontrollin dhe mbrojtjen e së drejtës së autorit.
Albautor nuk vlerëson artistët në bazë të shikueshmërisë
Raporti i fundit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se që nga viti 2017 nuk ekziston asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse mes përdoruesve dhe agjencive të administrimit kolektiv. Procesi i negocimit ka dështuar në mënyrë të vazhdueshme dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare pranë Këshillit Kombëtar për të Drejtat e Autorit (KKDA) për rishikimin e metodologjisë së tarifave, ndërkohë që kuadri ligjor nuk ofron asnjë mekanizëm zgjidhje për këtë ngërç.
Pikërisht ky është edhe një ndër problemet për të cilët, autorët kanë ngritur zërin pranë redaksisë “Vetting” për agjencinë e “Albautor, që lidhet me faktin se si vlerësohen këto pagesa.
“Gjatë gjithë këtyre praktikave që kemi patur me të drejtën e autorit, ne nuk jemi njohur ndonjëherë me kriteret, ligjet ose të paktën një formular nga ku kanë buruar të ardhurat e mia. Mendoj që do të ishte mire që çdo krijues të informohet në lidhje me burimet që janë siguruar nga krijimtaria e njërit apo tjetrit, qoftë edhe krjimtaria ime të ishte, të kisha përfitimet mbi bazë të përdorimit të këtyre vlerave”, u shpreh për “Vetting“ kompozitori Zef Çoba.
Sipas avokatit Evien Dako, ka raste plot të disa veprave shqiptare që kanë shikueshmëri të lartë dhe ekspozohen në vende ku duhet të veprojë e drejta e autorit.
“Për shembull unë marr shembull Zef Çobin edhe autorin tjetër Naim Gjoshi. Këngët e tyre mjafton që ti të shohësh ditët kur transmetohen ndeshjet e kombëtares. Pra, ti automatikisht e ke një përdorim të tyre, në çdo rrjet social është ajo këngë, në çdo radio ti ke ato këngë, mjafton të llogaritësh ato ditë. Pra, se si do e bësh monitorimin është detyrë e jotja”, u shpreh avokati Dako.
Në komunikimin me Drejtorin Muka të “Albautor”, ky i fundit deklaron se janë autorët që vendosin për shpërblimet, ndërkohë që vlerësimi financiar duhet të bëhet nëpërmjet shikueshmërisë nga publiku, pra në bazë të kërkesës.
Biseda midis Erion Mukës dhe gazetarit
Gazetari: Ju grumbulloni të ardhura, artistët kanë denoncuar faktin që marrin shumë, shumë pak të ardhura dhe tregojnë që marrin diku te 10 mijë lekë në vit. Si bëhet kjo shpërndarje, mund të na e shpjegoni këtë, të lutem?
Erion Muka: Nga vijnë të ardhurat? Vinë nga “Sporteli Unik”, nga puna e “Sportelit Unik” të drejtës të autorit.
Gazetari: Si bëhet shpërndarja e të ardhurave tek artistët? Çfarë baze vlerësimi keni ju, që disave u jepni më pak, disave më shumë?
Erion Muka: Mënyra se si ndahen të ardhurat e Albautorit, që janë ndërmjet artistëve, vetë artistët, vetë autorët kanë vendosur dhe vendosin nëpërmjet vendimit të asamblesë, që zgjedhin metodologjinë se si do ta shpërndajnë. Konkretisht, është vazhduar e njëjta praktikë ndër vite por konkretisht, në momentin që unë u emërova drejtor, u bë një vendim, u mor një mbledhje, asamble me të gjitha autorët pjesëmarrjës, ku pjesa dërrmuese ishin dhe vendosëm unanimisht mëyrën se si do t’i shpërndajmë të ardhurat, një metodologji. Dhe kjo metodologji është zbatuar nga ana e financës së Albautorit. Kjo ka shumë problematika më të mëdha, që artistët me emër kanë marrë vlerë më të ulët dhe kjo ka ardhur për disa arsye. Një arsye është që shumica e tyre kanë të bëjnë më funksionimin e sportelit unik, dhe jo në mënyrë të drejtpërdrejtë të Albautorit. Subjekte të cilat, duhet të paguajnë siç janë televizionet nuk kanë kryer asnjë pagesë, sipas ligjit për të drejtën e autorit, për komunikimin në publik të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit.
Gazetari: Si e vendoska dikush sa do u shpërbleka, kur të ardhurat bazohet te e drejta e autorit, te shikueshmëria?
Erion Muka: Ka një mënyrë zgjedhje, të paktën monitorimi, ku përfshihet qoftë Youtube, qoftë, nuk e di, diçka, një lloj monitorimi që e kanë vetë autorët. Dhe kjo është përgjigja, dhe, dmth e vendosin vetë. Pra, e vendosin vetë shpërndarjen, por fakti që ata autorë kanë marrë 100 mijë lekë të vjetra, një autor i mirë ka marrë 100 mijë lekë të vjetra…
Gazetari: Kanë vendosur të gjithë artistët, kanë rënë dakord?
Erion Muka: Po.
Sipas avokates Çollaku, çdo Agjenci Administrimi Kolektiv duhet të publikojë listën e veprave të përdorur në një vit kalendarik te faqja e organizatës.
Është e habitshme se si autorët vendosin se kush do marri dhe sa do marri në qoftë se të ardhurat varen nga shikueshmëria. Si mund të marri një autor, që ka krijuar dikur dhe nuk kërkohet nga publiku të njëjtin vlerësim financiar me një autor që është akoma i kërkuar?
Sipas artistëve, ata marrin shuma qesharake ndërkohë që muzika dhe këngët e tyre vazhdojnë të dëgjohen me intensitet nga publiku shqiptar.
Për të zbuluar më shumë, “Vetting” foli me Drejtorin Muka se si kryhet monitorimi dhe pse shpërndahen kaq pak të ardhura, ndërkohë që Albautor tejkalon shpenzimet në shkelje të ligjit nr. 35/2016 për të drejtën e autorit.
Biseda 2 midis gazetarit dhe Erion Mukës
Gazetari: Në dy raportet e fundit, 2023 dhe 2022, ju e dini shumë mirë, meqë e dini shumë mirë dhe ligjin, te këto raporte evidentohet, që raport i shpenzimeve është 37% nga 30% që duhet të jetë.
Erion Muka: Ju po i referoheni raporteve 2022-2023, ndërkohë që licensimi i AlbAutorit është bërë në 2024-n dhe është licensuar për tre vite. Pra, çfarëdo lloj raporti nuk ka të bëjë me licensën aktuale të Albautorit. Ato që po më thua nuk janë të vërteta, pasi jam sqaruar…
Gazetari: Janë raporte Z. Erion Muka, janë raporte…
Erion Muka: Janë raporte për të cilat do t’i zgjidhim. Do t’i nis unë raportet bashkë me shpjegimet, sepse janë sqaruar më parë, paçka se unë s’kam qenë drejtor në atë kohë, e kam këtë informacion të sqaruar. Edhe ministria është dakordësuar që ka patur një problem dhe është okej.
Gazetari: Dhe të lutem, emrin e kompanisë spanjolle që për monitorimin nuk na e thatë dhe kontratën, në qoftë se mund të na jepni këtë informacion, duke qenë se janë të dhëna që lidhen…
Erion Muka: Është pikërisht konfidenciale dhe kjo është…
Gazetari: Nuk, më dëgjoni…
Erion Muka: E lidhur me mbrojtjen e të dhënave personale.
Gazetari: Jo, z. avokat. Ju thatë që monitorimin e bën një kompani spanjolle.
Erion Muka: …
Gazetari: Të lutem, emrin e kompanisë spanjolle nuk lidhet me mbrojtjen e të dhënave personale.
Erion Muka: I je drejtuar komisionerit për këtë gjë dhe do marrësh një përgjigje.
Gazetari: Ligji për të drejtën e autorit kërkon transperencë nga ana juaj si OJF, si organizatë jofitimprurëse, gjë që nuk e keni bërë.
Erion Muka: Jo, e kemi bërë.
Gazetari: E keni te raportet tani, pse kundërshtoni? Okej, kundërshtoni raportet, në rregull, ky është qëndrimi juaj, e kuptova. E keni transparencën, e keni të detyrueshme dhe e dyta, kompaninë, gjithsesi meqë ma përmendetët, kompaninë, do bëjmë një kërkesë për kompaninë dhe do e çojmë te komisioneri sepse ju duhet ta publikoni kompaninë që bën matjen.
Erion Muka: Ju do merrni përgjigje nga komisioneri, kështu që s’ka problem, dërgojani komisionerit.
Gazetari: Në qoftë se doni, mund të vimë t’iu marrim dhe në intervistë, në qoftë se doni se mund të thoni…
Erion Muka: Pak a shumë ne i prekëm të gjitha diskutimet, kështu që unë i dhashë shpjegimet, ju më regjistruat, ndoshta ju mund të na përfitoni, doni që ta merrni informacionin dhe do ta shfaqni dhe besoj do jeni okej.
Zoti Muka nuk dha ndonjë përgjigje konkrete se pse kishte shkelur kufirin e shpenzimeve në këto vite agjencia, ndërkohë që sipas ekspertëve, agjencitë kanë kufi për shpenzimet.
Madje ligji nr. 8788, datë 7.5.2001 “Për Organizatat Jo-fitimprurëse” (i ndryshuar) i detyron këto organizata të bëjnë transparencë totale, gjë të cilën Albautor nuk e ka bërë. Më e rëndësishmja, në faqen e agjencisë nuk publikohet lista e veprave të ndjekura sipas vitit, ku të jepet sistemi i pikëzimit siç e ka AKDIE.
“Ligji e ka taksative detyrimin e transparencës financiare të agjencive në faqet e tyre zyrtare për të mbajtur të publikuara statutin, organe te tyre vendimmarrëse, rregullat e shpërndarjes që përdor agjencia për të shpërndarë të ardhurat dhe mbi të gjitha atë që është detyrim, transparenca për anëtarët e secilës agjenci, listat e veprave të përdorura në një vit kalendarik”, deklaroi ekspertja Çollaku.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb