“Do të jetë territor i SHBA prej vitit 2026”, Trump “vendos” flamurin amerikan në Groenlandë, nuk shpëton as Kanadaja. Ironia me liderët europianë
Donald Trump duket më i vendosur se kurrë për të bërë territor amerikan, ishullin arktik të Groenlandës. Në dy postime të bëra në Truth Social të martën, Trump paraqitet duke mbajtur flamurin amerikan dhe duke u përgatitur ta vendosë atë në tokën e Groenlandës. Në të njëjtën foto me të janë zv/presidenti i SHBA, J.D Vance dhe Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa në një tabelë shkruhet “Groenlanda, territor i SHBA-së nga viti 2026”.
Gjithashtu, Trump ka ndarë edhe një foto të marinsave amerikanë nga Iwo Jima, gjithashtu duke vendosur flamurin amerikan.
Ndërsa në foton e dytë të postuar këtë të martë, Trump “ngacmon” udhëheqësit europianë, pas një takimi që ata zhvilluan për Ukrainën në gusht 2025, e cila atëherë u komentua si një foto e “mësuesit”, presidentit amerikan, me “nxënësit” e tij.
Atëherë merrnin pjesë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, presidenti francez Emmanuel Macron, kryeministri finlandez Alexander Stubb, kryeministri italian Giorgia Meloni, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Në versionin e fotos kontroverse të publikuar nga Trump, shfaqet një hartë me territoret që i përkasin SHBA-së me Groenlandën që është pikturuar si pjesë e SHBA, ndërsa e njëjta gjë ndodh edhe me Kanadanë, që gjithashtu është “veshur” me flamurin amerikan. Edhe më herët, Trump i ka propozuar Kanadasë të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.
© BalkanWeb