Carrick “çliron nga zinxhirët” Kobbie Mainoo, mbetet me “gisht në gojë” Napoli
20 Janar 2026
14:08
Alfred Lleshi
Në futboll, mjafton një moment që gjithçka të ndryshojë. Kjo ndodhi me Kobbie Mainoo, i cili gjeti rilindjen me ardhjen e Michael Carrick në pankinën e Manchester United. Pas muajsh në stol nën drejtimin e Ruben Amorim, pa iu lejuar huazimi për të gjetur hapësira aktivizimi, 20-vjeçari anglez u rikthye menjëherë në ekipin e parë nga trajneri i ri, duke iu dhënë fund zërave për një transferim të mundshëm te Napoli.
Titullar në derbin e Manchesterit ndaj City dhe protagonist me një paraqitje të shkëlqyer në mesfushë, Mainoo ka bindur klubin. Ai është pjesë e së tashmes dhe së ardhmes së Manchester United, mjafton të ruajë këtë nivel, shkruan “Daily Mail”.
Carrick “hoqi zinxhirët” që Amorim ia kishte vendosur Mainoo. Madje në dhjetor, vëllai i tij Jordan u pa në “Old Trafford” me bluzën “Free Kobbie Mainoo”. Me besimin e Carrick dhe mesfushën e formuar me Casemiro e Bruno Fernandes, skuadra u rrit dhe mposhti City 2-0. Projekti do të ndërtohet rreth produktit të akademisë, Mainoo nuk lëviz nga “Old Trafford”.