FSHF përuron fushën e re sportive në Durrës
21 Janar 2026
14:18
Telesport
Një tjetër investim në shërbim të futbollit shqiptar u inaugurua në Durrës, me hapjen e fushës së re pranë shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Benardina Qerraxhia”, duke i shtuar qytetit një aset të rëndësishëm sportiv, që do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve të kësaj shkolle, por edhe fëmijëve të akademisë së FSHF-së “Elite Youth”.
Ky investim realizohet në kuadër të projektit madhor “100 fushat”, një nga nismat më ambicioze të Federatës së Futbollit për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin. Fusha me bar artificial vjen falë bashkëpunimit mes FSHF-së dhe Bashkisë së Durrësit, duke krijuar kushte bashkëkohore për stërvitje dhe zhvillimin e talenteve të reja.
Në ceremoninë e inaugurimit, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Drejtoresha e shkollës “Benardina Qerraxhia”, drejtues dhe staf i akademisë “Elite Youth” si edhe futbollistët e kësaj akademie, theksoi rëndësinë e këtij investimi si pjesë e një vizioni afatgjatë për të ardhmen e fëmijëve dhe të futbollit shqiptar.
“Sot jemi këtu për të inaguruar fushën e shkollës, që do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve, por edhe akademisë Elite Youth të FSHF për të rritur talentin e tyre në këtë fushë moderne. Ky projekt është vazhdim i projekteve të FSHF për përmirësimin e infrastrukturës, për të vënë sa më shumë hapësira moderne për fëmijët tanë, për edukimin e fëmijëve në Shqipëri.
Një detyrë realisht e vështirë për të gjitha kushtet që ka vendi dhe kjo është një nga ato fusha që ne kemi investuar. Projekte të tilla vazhdojnë dhe janë projekte që do t’i shëbejnë akoma edhe më shumë të ardhmes së fëmijëve.”