“E bardhë dhe e kuqe”, Ferrari zbulon makinën e epokës së re, Leclerc e Hamilton e testojnë në Fiorano
23 Janar 2026
11:47
Telesport
Pas Red Bull e Mercedes sot ka qenë radha e Ferrari për të prezantuar makinën e re, me të cilën Charles Leclerc e Lewis Hamilton do të garojnë sezonin e ri. Prezantimi është bërë në rrjetet sociale, ndërsa në pistën e Fiorano janë bërë testet e para.
Ajo që bie në sy është se ngjyra e njëvendëshes së re do të jetë një kombinim i të kuqes me të bardhën. Pjesa e sipërme e makinës do të jetë e bardhë, një surprizë kjo për fansat edhe pse ajo është përdorur edhe më herët.
Me nisjen e një epoke të re, me rregulla të reja, Ferrari pritet të rikthehet në elitë pas më shumë se 15 vitesh në pritje të një titulli. Pilotët e saj presin një makinë konkurruese dhe testet e para të kryera në pistën e Fiorano do të japin vlerësimet e para.
Pritshmëritë këtë vit janë të larta dhe skuadra ka kohë që punon për të sjellë një makinë të shpejtë e fituese. Të dy pilotët janë në Fiorano dhe do të provojnë njëvendëshen e re në pistë pas provave të kryera në simulator javët e fundit.