Hysajt i tregohet porta/ Mbrojtësi kuqezi mund të largohet këtë sezon nga Lazio
Koha e rekordeve është gjithashtu një moment i rrezikshëm.
Kjo vlen edhe për një Lionel Mesi e Kristiano Ronaldo që sot janë tepër larg Europës dhe futbollit të elitës, dhe padyshim mbetet kështu edhe për një yll të kombëtares shqiptare.
Pak javë pasi theu rekordin e ndeshjeve me kuqezinjtë, duke pasur tani 95 në krahasim me 93 të Lorik Canës, Elseid Hysaj duket se do të duhet të kërkojë një ekip tjetër.
Lacio, skuadra ku ai bën pjesë, dhe me trajner Mauricio Sarrin, e ka lënë jashtë skuadre.
Informacioni zyrtar është që Hysaj duhet të bëjë operacion, ndonëse “La Gazeta delo Sport” thjesht e raporton jashtë ekipit, pasi të lënduar sipas saj janë Zhigo, Rovela, Kançelieri dhe Kataldi.
Mediat italiane nxjerrin përfundimin se kjo lënie në tribunë do të thotë se tekniku Sarri po I bën dalje besnikut të tij të vjetër, lojtarit të cilin ai vetë e bëri pjesë të futbollit profesionist që në 2012 tek Empoli.
Kanë kaluar 14 vjet në Itali, më pak në Serinë B, dhe kryesisht në Serinë A, dhe jo më kot Hysaj mban rekordin e lojtarëve shqiptarë për numrin e ndeshjeve në elitën italiane, me 313, rreth 60 më shumë sesa Berat Gjimshiti, duke shënuar 4 gola e shërbyer 17 asistë.
Me Sarrin, mbrojtësi I djathtë kuqezi luajti tek Empoli, Napoli dhe tani tek Lacio, por gjithmonë ka një fund, edhe pse ai është ende I ri, vetëm 31 vjeç.
Pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në janar, ndonëse për Hysajn nuk do të jetë e lehtë sepse kohët e fundit me lacialët ka qenë kryesisht në stol.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!