Gjekmarkaj në “Kjo Javë”: Opozita ka detyrë të kthejë zhgënjimin e qytetarëve në energji për ndryshim
Nënkryetari dhe deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News24, komentoi situatën aktuale politike dhe sfidat e opozitës. Ai theksoi se PD po përpiqet t’u tregojë qytetarëve realitetin e qeverisjes aktuale, të cilin, sipas tij, opozita e ka paralajmëruar që në momentin kur u përball me “një farsë elektorale” në zgjedhjet e fundit.
Gjekmarkaj u ndal edhe te raporti i OSBE/ODIHR-it, i cili sipas tij konfirmoi plotësisht shqetësimet e ngritura nga opozita për procesin zgjedhor. Deputeti demokrat u shpreh se pritshmëritë e mbështetësve të PD-së janë të larta dhe se mungesa e një fitoreje zgjedhore mund të ketë krijuar frustrim dhe zhgënjim tek ata.
Megjithatë, Gjekmarkaj theksoi se përgjegjësia e opozitës është të kanalizojë këto pakënaqësi në energji pozitive dhe të ndërtojë një alternativë të besueshme për vendin.
“Detyra jonë është që ndjesitë e zhgënjimit t’i kthejmë në forcë për t’i dhënë Shqipërisë një alternativë tjetër,” deklaroi ai.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb