Matthäus zgjedh portierin e Gjermanisë për Botërorin, nuk është Ter Stegen
26 Janar 2026
10:36
Alfred Lleshi
Marc-André Ter Stegen u largua në huazim te Girona deri në fund të sezonit. Me afrimin e Joan Garcia, skuadra e Barcelonës e bëri të qartë zgjedhjen në portë, duke e lënë gjermanin në një pozitë delikate, pikërisht kur pas tërheqjes së Manuel Neuer nga kombëtarja, ai shpresonte të ishte titullar i Gjermanisë në një turne të madh.
Edhe pse minutazhi te Girona mund ta ndihmojë, Lothar Matthäus mendon ndryshe. Ish-fituesi i Botërorit 1990 tha se do t’ia rinovonte kontratën Neuer-it me Bayern-in dhe se 40 vjeçari është ende në nivel botëror.
Megjithatë, as Neuer nuk është zgjedhja e tij për portën e Gjermanisë: “Mendoj se Oliver Baumann, portieri i Hoffenheim, po bën një punë shumë të mirë. Duhet të ndalojmë së foluri për këtë temë”. Kështu, sipas Matthäus, Baumann del si një alternativë serioze për Botërorin 2026.