Provat digjitale (Sky ECC/Encrochat) midis standarteve europiane dhe realitetit shqiptar
Fillimi i vitit 2026 ka sjellë zhvillime domethënëse në mënyrën se si gjykatat evropiane po e vlerësojnë përdorimin e komunikimeve elektronike të enkriptuara, të dekriptuara përmes bashkëpunimit gjyqësor ndërkombëtar. Brenda një periudhe të shkurtër, vendime të dhëna në Spanjë dhe Itali – në vijimësi me diskutimet e hapura edhe në jurisprudencën amerikane – kanë rikonfirmuar një parim thelbësor: efikasiteti hetimor nuk mund të zëvendësojë garancitë themelore të procesit të rregullt ligjor.
Në këto vendime, fokusi i gjykatave nuk ka qenë përmbajtja e komunikimeve të përftuara nga platformat e enkriptuara si Sky ECC apo EncroChat, por kushtet në të cilat këto të dhëna janë prodhuar, përpunuar dhe transmetuar.
Pikërisht në këtë linjë, në procesin penal para gjykatës së Nju Jorkut, eksperti ndërkombëtar i certifikuar për këtë lloj ekspertize, Andreas Milch, ka konstatuar se në të dhënat e përpunuara të paraqitura nga prokuroria – të marra me letërporosi nga Franca – kishte patur tre herë ndërhyrje substanciale, çka nxjerr në pah rrezikun që, në mungesë të aksesit në të dhënat origjinale dhe kontrollit të pavarur teknik, provat nga platformat e enkriptuara humbasin besueshmërinë e tyre gjyqësore. Por duhet të jemi të qartë, thelbi i debatit nuk është teknologjik, por procedural: a është prova e verifikueshme, a është ruajtur integriteti i saj dhe a ka pasur mbrojtja një mundësi reale për ta kundërshtuar atë?
Një element i përsëritur në këto çështje është mungesa e aksesit në të dhënat origjinale (raw data). Në rastet kur prokuroritë kombëtare evropiane kanë paraqitur materiale të përpunuara, të filtruar ose të fragmentarizuara nga autoritetet e huaja, pa dokumentacion të plotë mbi zinxhirin e ruajtjes së provës dhe procesin teknik të dekriptimit, gjykatat kanë vlerësuar se kontrolli efektiv mbi provën bëhet i pamundur.
Prova digjitale, në këtë kuptim, nuk është thjesht një produkt final, por një proces që duhet të jetë transparent dhe i kontrollueshëm.
Në janar 2026, Gjykata Provinciale e Valencias shpalli të pafajshëm 14 persona të akuzuar për trafik të rëndë narkotikësh në Portin e Valencias. Edhe pse lënda narkotike ishte reale dhe e sekuestruar, struktura akuzuese mbështetej pothuajse ekskluzivisht në komunikime të përftuara nga platforma Sky ECC.
Gjykata konstatoi se këto të dhëna kishin kaluar nëpër disa nivele përpunimi nga autoritete të ndryshme shtetërore dhe ndërkombëtare, pa praninë e mbrojtjes dhe pa garanci të mjaftueshme mbi origjinën dhe integritetin teknik të tyre. Vendimi përforcon parimin se të pandehurit duhet të kenë qasje në prova dixhitale të papërpunuara për të siguruar të drejtën e tyre për një gjykim të drejtë.
Në mungesë të provave të tjera mbështetëse, komunikimet e enkriptuara nuk u konsideruan të mjaftueshme për të rrëzuar prezumimin e pafajësisë.
Një qasje edhe më rigoroze u ndoq nga Gjykata e Imperias në Itali, e cila përjashtoi nga gjykimi materialet EncroChat të ardhura nga Franca përmes Urdhrit Evropian të Hetimit. Ekspertimi gjyqësor evidentoi se materiali ishte rezultat i një procesi filtrimi, fragmentarizimi dhe përzgjedhjeje të panjohur, i mbuluar nga sekreti shtetëror, duke e privuar mbrojtjen nga çdo mundësi reale për verifikim teknik. Gjykata arriti në përfundimin se cenimi i të drejtës së mbrojtjes ishte strukturor dhe, për këtë arsye, prova nuk mund të pranohej në proces.
Në çështjen e njohur si “Ostro-Amaranto”, Gjykata e Catanzaros, po Itali, zgjodhi një qasje të ndërmjetme, duke kushtëzuar përdorimin e provave të përftuara nga Sky ECC me ekzistencën ose jo të një mjeti juridik efektiv për të pandehurit në Francë. Gjykata theksoi se, nëse i pandehuri nuk ka pasur asnjë status procedural në shtetin e origjinës së provës, atëherë ai është privuar nga çdo mundësi reale për ta kundërshtuar atë, duke e bërë provën të papërdorshme edhe në procedurën italiane. Por nëse i pandehuri ka mundësi për ta kundërshtuar provën përpara Autoriteve Gjyqësore Franceze atëhërë përdorimi i provës në itali varët nga rezultati i kësaj procedure.
Këto zhvillime tregojnë qartë se gjykatat evropiane po vizatojnë një kufi të ri: bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar dhe teknologjitë e avancuara hetimore nuk mund të funksionojnë në dëm të transparencës, kontradiktoritetit dhe kontrollit gjyqësor efektiv.
Në këtë kontekst, situata në Shqipëri paraqet një problem edhe më të mprehtë. Ndryshe nga praktikat e ndjekura me juridiksionet e tjera evropiane dhe më gjerë, ku autoritetet franceze kanë përcjellë databaza të filtruara apo të fragmentarizuara, në rastin e kërkesave për ndihmë juridike ndërkombëtare të dërguara nga SPAK, Autoritetet Franceze kane vënë në dispozicion vetëm tabela Excel-i për secilin PIN të kërkuar. Për rrjedhojë në mungesë të aksesit në të dhënat origjinale dhe në procesin e dekriptimit, çdo verifikim teknik i pavarur bëhet i pamundur. Kësaj situate i mbivendoset ngurtësia e Gjykatës së Posacme, për të lejuar verfikimin mbi statusin e të pandehurit në procedimin penal në Francë, marrjen e të dhënave të plota të papërpunuara si dhe cdo të dhënë dhe informacion tjetër që nuk përbën “sekret” dhe t’i japë mbrojtjes mundësinë që gjyqësisht të kërkojë që ato t’i nënshtrohen një ekspertize të pavarur apo të pretendojë kundërligjshmerinë.
Realiteti Shqiptar ngre pyetje serioze mbi përputhshmërinë e këtyre provave me standardet kushtetuese dhe konvencionale të procesit të rregullt ligjor. Prova që nuk mund të kontrollohet dhe kundërshtohet realisht nuk është thjesht e dobët; ajo rrezikon të jetë e papërdorshme në kuptimin juridik. Ky është debati që gjykatat evropiane kanë hapur dhe që, herët a vonë, do të duhet të përballet edhe sistemi shqiptar i drejtësisë.
© BalkanWeb