Pronat në bregdet, si do vijojnë çmimet?/ Subashi: Shqipëria, më e lira në rajon. Demirxhiu: Janë shtuar kërkesat, aeroporti rrit vlerën…
schedule20:31 – 21 Nëntor, 2025
Pasuritë e paluajtshme ishin në tryezën e diskutimit në programin ‘Sheshi i Dollarit‘ pas një viti me trende në rritje të çmimeve në këtë sektor.
Eksperti për pasuritë e paluajtshme Fjordi Subashi tha për ABC Neës se viti i ardhshëm nuk do të ketë rritje çmimesh për ndërtime. Subashi tha më tej, se pronat në bregdet shënojnë çmime më të ulëta krahasuar me rajonin, ku në Kroaci një pronë në vijën e parë shënon vlerën e 8000 euro/m2, ndërsa në Shqipëri është në vlerën e 4000 euro/m2.
“2026 nuk do të ketë rritje çmimesh si vitet e kaluara mbi 40 për qind. Kanë ndryshuar çmimet e referencave. Vitin e ardhshëm nuk do kemi rritje çmimesh, kryesisht kullat e bëjnë diferencën sepse ata që blejnë janë rreth 3-4 për qind investitorë ose klientë të huaj. Pjesa tjetër mesatare janë çiftet e reja që do të hyjnë në kredimarrjet. Në vijën bregdetare jemi më të lirët në rajon, Kroacia Mali i zi, Greqia kanë çmime më të larta. Në Kroaci vija e parë është 8000 euro/ m2. “
Eksperti Ervin Demirxhiu tha se për pronat në bregdet do të ketë rritje të çmimeve, ku ka pasur kërkesa të shtuara nga vendasit dhe të huajt. Sipas tij, aeroporti dhe porti i japin vlerë zonës.
“Referencat në bregdet priten të zbatohen vitin e ardhshëm, ndryshimi I referencës vjen si pasojë e shitjeve në atë zonë sepse ka pasur kërkesë të shtuar si nga vendasit dhe të huajt edhe me infrastrukturën që do zhvillohet. Largësia me aeroportin dhe portin I japin vlerë zonës.
Ka akoma vend për rritje çmimesh, sa më shumë siguri të kenë për vendin tonë aq më shumë blerës të huaj do ketë. Një pjesë e madhe vijnë për investim.”
/ abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!