Dorëhiqet anëtari i bordit drejtues të BBC/ Shkak, probleme të qeverisjes së korporatës
schedule20:00 – 21 Nëntor, 2025
Një anëtar i bordit të BBC ka dhënë dorëheqjen pasi kritikoi atë që e quajti “probleme të qeverisjes” në nivelet më të larta të korporatës. Shumeet Banerji njoftoi bordin për dorëheqjen e tij të premten, konfirmoi BBC në një deklaratë.
Dorëheqja e tij vjen pas largimit të drejtorit të përgjithshëm Tim Davie dhe drejtoreshës ekzekutive të BBC News, Deborah Turness, më herët këtë muaj, pas debatit të ashpër të shkaktuar nga mënyra e montimit të një dokumentari Panorama për Donald Trump.
Sipas BBC News, Banerji citoi “probleme të qeverisjes” në majën e BBC-së si arsyen kryesore të dorëheqjes, duke thënë në një letër se ai “nuk ishte konsultuar” për ngjarjet që çuan në largimin e Davie dhe Turness.
“Mandati i z. Banerji në Bord, si një drejtor joekzekutiv, do të përfundonte në fund të dhjetorit dhe e falënderojmë për shërbimin e tij,” tha një zëdhënës i BBC-së. “Procesi i kërkimit të një pasuesi është tashmë në zhvillim e sipër dhe do të kemi njoftime të tjera në vijim.”
Shumeet Banerji u emërua në bordin e BBC-së në janar 2022 si një nga drejtorët joekzekutivë, me mandatin që zgjaste deri më 31 dhjetor. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!