Moti i keq shkakton dëme në disa zona të vendit/ Përmbytjet në Devoll, zhduket e moshuara në fshatin Progër
Reshjet e dendura të shiut dhe përkeqësimi I kushteve atmosferike kanë goditur rëndë vendin me problematika e dëme të shumta si pasojë e përmbytjeve. Në Progër të bashkisë së Devollit, uji vijon të jetë I pranishëm në banesa e rrugë të fshatit, ndërsa forcat e ushtrisë e kërkim shpëtimit janë në kërkim të një të moshuare.
Pas marrjes së dëshmisë së familjarëve, policia thotë se po hetohen shkaqet, por dyshimet më të mëdha janë ato të mbytjes aksidentale.
Në orët e pasdites gjendja paraqitet e rënduar dhe në disa fshatra të Bashkisë së Pogradecit. Dëmtime kanë pësuar edhe biznese të zonës së Pirgut. Qindra pula të një ferme kanë ngordhur.
Vjosa arriti pikun në orët e para të mëngjesit, në nivelin alarmant prej 8,25 metrash, ndërsa pësoi një rënie vetëm gjatë orëve të pasdites në 7.5 metra.
Kryeplaku I Novoselës, Ilia Moçka tregon se janë evakuuar disa familje. Situatë dramatike paraqitet edhe në jug të vendit, pas çarjes së argjinaturës së lumit Bistricë në Çukë.
Edhe ura e Glinës në Dropull ka pësuar dëmtime serioze. Për të garantuar sigurinë e banorëve të 5 fshatrave, grupi i emergjencave ka vendosur ndalimin e mjeteve në këtë urë.
Në Librazhd, prurjet e lumit Shkumbin shembën urën e Xhyrës.
Kjo urë e cila lidhte fshatrat me rrugën kryesore, u bllokua për qarkullim jo vetëm për mjetet, por edhe për njerëzit.
Në Malësinë e Krujës, gjithashtu një ndër zonat më të goditura nga reshjet, është arritur të rikuperohen një pjesë e urave të dëmtuara.
Disa familje në fshatin Gallatë janë evakuuar, ndërsa fshati Shpërdhet ka mbetur I izoluar nga dalja e shtratit të lumit Drojë.
Situatë e rënduar paraqitet edhe në Lezhë.
Një kamion i ushtrisë rrezikoi ndërsa ndodhej në Rrilë për ndërhyrjen që po bëhet në argjinaturën e dëmtuar. Përveç ndërhyrjeve me mjete të rënda forcat e ushtrisë dhe emergjencat civile janë angazhuar edhe në ndihmë të banorëve.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

