Nga strategjia e re “Vision to Victory 2026-2030” te Superiorja, ja çfarë u diskutua “Në Shtëpinë e Futbollit”
28 Janar 2026
19:09
Telesport
Në kanalin FSHF TV u transmetua sot drejtpërdrejt emisioni i 15-të i “Në Shtëpinë e Futbollit”, nën moderimin e Lenida Halilaj. Në studio ishin të ftuar anëtari i KE të FSHF, Pano Xhixho, dhe trajneri i Kombëtares U-17, Fatjon Tafaj.
Fokusi i këtij emisioni ishte lançimi i strategjisë së re të FSHF, “Vision to Victory 2026-2030”, plani strategjik për zhvillimin e futbollit shqiptar. Të ftuarit komentuan objektivat e arritura në strategjinë e mëparshme dhe analizuan shtatë shtylla kyçe të strategjisë së re: Hyrja në fushë, Talenti elitar, Ndërtimi i lojës, Edukimi përtej fushës, Promovimi i pasionit dhe qëllimit, Nxitja e investimeve dhe Një organizatë e shkëlqyer.
Në studio u diskutua edhe për paraqitjen e lojtarëve të Kombëtares në arenën ndërkombëtare, ndërsa një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe kampionatit “Abissnet Superiore”. Gara është shumë e fortë në të gjitha zonat e renditjes, me ekipe që luftojnë për zonën “Final Four” dhe mbijetesën. Përforcimet e merkatos së janarit kanë rritur nivelin e konkurrencës, duke e bërë kampionatin të hapur dhe të luftuar deri në fund.