Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari në Korçë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Veprimtaria”. Shiste lëndë narkotike në lokalin e tij, kapet dhe vihet në pranga 49-vjeçari.
Procedohet penalisht dhe një 15-vjeçar, i cili kishte blerë, një sasi me lëndë narkotike, tek pronari i lokalit.
Sekuestrohen një sasi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në DVP Korçë, në zbatim të planit të masave të hartuar për vitin 2026, me objektiv parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që shiste lëndë narkotike në lokalin e tij në Pogradec, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Veprimtaria”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. S., 49 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec.
Gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e këtij shtetasi në lagjen nr. 1, Pogradec, iu gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi me lëndë narkotike cannabis sativa. Gjithashtu u referuan materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal edhe për një 15-vjeçar, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet një sasi e vogël me lëndë të dyshuar cannabis, të cilën ia kishte shitur shtetasi K. S.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestra një sasi me lëndë narkotike, 3 celularë dhe një sasi lekësh.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
© BalkanWeb