Qeveria gjermane planifikon të heqë ditën e punës tetë-orëshe, ja pse sindikatat janë kundër
Ministria Gjermane e Ekonomisë po shtyn përpara heqjen e ditës tradicionale tetë-orëshe të punës, duke kërkuar zbatimin e përshpejtuar të reformës së planifikuar mbi orarin e punës. Qëllimi kryesor i nismës është forcimi i sektorit të turizmit, i cili tashmë funksionon në praktikë me orare më fleksibël. Koordinatori federal për Industrinë Detare dhe Turizmin, Christoph Ploss, deklaroi gjatë prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Turizmit para kabinetit në Berlin se “vendosja e një kohe maksimale javore pune, në vend të kufirit ditor, duhet të realizohet brenda vitit 2026”.
Çfarë parashikon ligji aktual
Sipas legjislacionit në fuqi në Gjermani, dita e punës është e kufizuar në tetë orë, me mundësi zgjatjeje deri në dhjetë orë vetëm në raste të veçanta, duke parashikuar kompensim për punonjësit me pagesë shtesë ose kohë pushimi. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, partitë qeverisëse CDU/CSU dhe SPD ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit që ky model të zëvendësohet me një maksimum javor të orëve të punës. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, kjo reformë synon gjithashtu të krijojë një ekuilibër më të mirë mes jetës profesionale dhe asaj private për punonjësit.
Reagimi i sindikatave
Planet e qeverisë kanë shkaktuar reagime të forta nga sindikatat gjermane. Kreu i sindikatës Ver.di, Frank Wernecke, i cilësoi ndryshimet si një “dritë jeshile për punëdhënësit që të shfrytëzojnë maksimalisht punëtorët, pa marrë parasysh shëndetin e tyre”. Në një prononcim për gazetën Bild, Wernecke paralajmëroi se sindikata është e gatshme të protestojë si në vendet e punës ashtu edhe në rrugë për të mbrojtur ligjin aktual që garanton ditën tetë-orëshe të punës.
Lehtësimi i kufizimeve mbi orarin ditor të punës, i parashikuar në marrëveshjen qeveritare, tashmë është përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Turizmin, e miratuar nga kabineti të mërkurën. Shoqatat e turizmit kanë kërkuar prej vitesh fleksibilizimin e rregulloreve ekzistuese, duke argumentuar se ato pengojnë zhvillimin e sektorit. Sipas planit të qeverisë, ora maksimale javore e punës do të zbatohet gradualisht në të gjithë sektorët e ekonomisë, ndërsa Ministria e Punës pritet të paraqesë projektligjin përkatës deri në verë.
© BalkanWeb