Rinovimi i Maignan, Dida shtyn përpara: Lider i lindur, ka respektin dhe besimin e të gjithëve
30 Janar 2026
10:54
Alfred Lleshi
Kampion bote dhe fitues i 2 Champions League, Nelson Dida ka shkruar historinë e Milanit mes shtyllave, ndaj nuk qëndron dot indiferent ndaj paraqitjeve të “ish-nxënësit” të tij, Mike Maignan. Portieri francez, me kontratë që skadon më 30 qershor, po shfaq në këtë sezon gjithë nivelin e një top-lojtari.
“Mike bën pritje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe tregon se është gjithmonë një nga portierët më të mirë në qarkullim, – shpjegon braziliani 52-vjeçar. – Është në formë spektakolare; bën shumë ndërhyrje, jo vetëm një apo dy, që tregojnë sa i përqendruar është gjatë gjithë ndeshjes. Për më tepër, është shumë i zoti edhe në fazën e ndërtimit të lojës”.
Ai e vlerëson ‘Magic’ Mike edhe si lider: “Është një udhëheqës i lindur, komunikues, me respektin dhe besimin e të gjithëve, i rëndësishëm brenda dhe jashtë fushës”. Të gjithë presin zyrtarizimin e rinovimit: “Nëse firmos, do të jenë të gjithë të kënaqur për atë që Mike po bën dhe për atë që përfaqëson te Milani”.