Hetime për koncesionet në shëndetësi, SPAK ushtron kontrolle në ambientet e kompanisë “Evita”, me administrator Alqi Jani
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka ushtruar kontrolle në ambientet e kompanisë “Evita”, me administrator Alqi Janin.
Gazetarja Klodiana Lala raporton për BalkanWeb se kontrollet u kryen me urdhër prokurores se Posaçme, Dorina Bejko.
Burime bëjnë me dije se kontrollet janë kryer në kuadër të veprimeve hetimore të SPAK, lidhur me koncesionet e shëndetësisë.
SPAK po heton koncesionet në shëndetësi si ai për sterilizimin, hemodializën dhe kontrollin e detyrueshëm shëndetësor check up. Që të tre këto koncesione janë kontestuar në publik për shkak se janë fituar në mënyra të parregullta dhe misterioze.
Për sterilizimin, SPAK po heton ish-ministrin Ilir Beqaj dhe 11 zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë.
Hetime që kanë lidhje me dosjen e sterilizimit mbi pajisjet mjekësore, si edhe marrëveshjen e kryer gjatë vitit 2015, atëherë kur Ministër Shëndetësie ishte Ilir Beqaj, që më vonë, në 2017 e la këtë detyrë.
© BalkanWeb