Diego Simeone bën ofertë për yllin e Manchester City: 55 mln euro plus bonuse
30 Janar 2026
17:54
Telesport
Sulmuesi i Manchester City, Omar Marmoush, po kalon një periudhë të vështirë në “Etihad Stadium”. Sulmuesi egjiptian nuk ka arritur të gjejë hapësirat e nevojshme në formacionin e Pep Guardiolës, pavarësisht pritshmërive të larta që shoqëruan transferimin e tij.
Konkurrenca e fortë në repartin ofensiv ka ndikuar që Marmoush të mos ketë minutazh të qëndrueshëm.
Manchester City po shqyrton mundësinë e largimit të përkohshëm të lojtarit, për t’i dhënë atij më shumë hapësirë aktivizimi. Në tavolinë është një huazim me të drejtë blerjeje, me vlerë 55 milionë euro plus 15 milionë euro në formë bonusesh, në varësi të objektivave individuale dhe ekipore që do të arrihen.
Në këtë situatë, në skenë ka dalë Atletico Madrid, që po monitoron nga afër situatën e Marmoush. Klubi spanjoll e sheh egjiptianin si një profil ideal për stilin luftarak të Diego Simeones dhe është gati të hyjë në negociata, duke e bërë të ardhmen e sulmuesit një nga temat më të nxehta të merkatos.