“Balluku pozonte për sukses, por kur rruga bllokohet nga gurët, s’duket askund”/ Prrenjas-Librazhd 5 orë i paralizuar, Këlliçi: Hetim! T’i tregojmë vendin “Palloshit” dhe…
Deputeti i Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka deklaruar se duhet një hetim për zëvendës kryeministren Belinda Balluku në lidhje me problematikat në disa akse në vend, duke marrë shkas edhe me skandalin e ndodhur sot në aksin Prrenjas-Librazhd, ku prej pesë orësh tashmë qarkullimi mbetet i bllokuar në të dy korsitë, pas shembjes së dherave.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi shkruan se në këtë aks Balluku “pozonte për suksese, por se sot kur rruga është mbuluar nga dherat dhe balta, nuk duket askund”.
“Skandali sot është një thirrje më shumë që me 10 shkurt sheshi të oshëtijë e qytetarët t’i tregojnë vendin Palloshit dhe Belindës së tij, e të gjithë atyre që vjedhin e duan të mos hetohen e të mbajnë karrigen me çdo kusht.
Qytetarëve u takon pushteti dhe Bulevardi do ta tregojë këtë me 10 shkurt”, përfundon Këlliçi.
Postimi i plotë
Gurë e baltë aty ku Balluku pozonte për suksese. Duhet zhbllokuar drejtësia që të lirohen rrugët!
Aty ku sot për orë të tëra janë torturuar qindra qytetarë, të mitur e të moshuar, në aksin Librazhd-Prrenjas, kushedi sa herë Belinda Balluku ka pozuar e ka kryer atë pasarelën me regji të gatshme duke u mburrur për punët e mëdha që po bën qeveria, për cilësinë e sigurinë e tyre.
Sot, ajo mungon.
Sot që gurët dhe balta kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e udhëtarëve, Belinda nuk shfaqet.
Duhet një transparencë e plotë për rastin, por ajo që dihet deri tani është se Belinda Balluku dhe shefi i saj Edi Rama e kanë çuar deri në 20 milionë euro kilomentrin.
Sepse pjesën më të madhe në një km rrugë, e marrin ata vetë.
Ndaj ndodh kjo që ndodh kudo, në gjithë rrugët e vendit. E mbani mend si thoshte Palloshi; rrugët e lënë rrugëve, dhe fajësonte Saliun.
Pse nuk flet sot?!
Del që në mëngjes me një podcast ku dërdëllit pa fund, deliron aty dhe për portretin e tij, e nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e rënda që sjell keqmenaxhimi dhe korrupsioni në infrastrukturë.
Pas shumë akseve të tjera të shembura, sot edhe Librazhd-Prrenjas kërkon hetim për Ballukun.
Vetëm se Edi Rama nuk e lejon, e mbron, e mban mbi ligjin dhe nuk lejon SPAK të bëjë punën.
Skandali sot është një thirrje më shumë që me 10 shkurt sheshi të oshëtijë e qytetarët t’i tregojnë vendin Palloshit dhe Belindës së tij, e të gjithë atyre që vjedhin e duan të mos hetohen e të mbajnë karrigen me çdo kusht.
Qytetarëve u takon pushteti dhe Bulevardi do ta tregojë këtë me 10 shkurt.
© BalkanWeb